Haradinaj ia uron fitoren Vetëvendosjes
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se duke shikuar trendin e votave, mund të konstatojë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që u mbajtën të dielën.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Haradinaj ia uroi fitoren Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ajo që hetohet është një trend i votës në drejtim të Vetëvendosjes. Konstatohet një fitore e Vetëvendosjes në këto zgjedhje. Shfrytëzoj rastin t’i uroj të gjitha partitë, edhe Vetëvendosjes fitoren”, tha ai.
Sa i përket partisë që drejton, Haradinaj tha se ajo ka fituar diku 10 për qind të votave.
“Ne jemi deklaruar se nuk kemi vija të kuqe, as për Vetëvendosjen, as për ndonjë subjekt politik”, tha ai.
Haradinaj, i cili në këto zgjedhje garoi si i nominuar i AAK-së për postin e presidentit, tha se për t’u zgjedhur presidenti i ri, duhet vullneti i forcave politike, që të arrijnë votat e mjaftueshme prej dy të tretave.
“Ne jemi deklaruar se nuk kemi vija të kuqe, as për Vetëvendosjen as për ndonjë subjekt politik”, tha Haradinaj kur u pyet për ndonjë koalicion të mundshëm qeverisës.
Nis numërimi i votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se ka nisur numërimi i fletëvotimeve në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Rezultatet preliminare po publikohen në kohë reale në ueb-faqen e KQZ-së.
Në një konferencë për media, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se qytetarët e Kosovës treguan kulturë të lartë demokratike në zgjedhjet e së dielës.
"Inkurajoj këshillat e vendvotimeve që gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit të votave, me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet", tha Daka.
“Sot, Kosova tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta", shtoi ajo.
Sipas KQZ-së, dalja në këto zgjedhje ishte mbi 47 për qind.
Pjesëmarrja në zgjedhje, mbi 47 për qind
Pas përpunimit të më shumë fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovës ishte mbi 47 për qind.
Në ueb-faqen e KQZ-së, shifra e pjesëmarrjes në orën 20:25 ishte 47.07 për qind.
Pjesëmarrje më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2019
Pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, në Kosovë ishte 46.90 për qind, bëri të ditur kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për media në Prishtinë.
Ajo tha se të drejtën e votës e shfrytëzuan 827,984 qytetarë.
Për krahasim, shtoi Daka, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kanë votuar 44.18 për qind, apo 812,049 qytetarë.
“Sot Kosova tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta. E shfrytëzoj rastin që në emër të KQZ-së të falënderoj posaçërisht qytetarët e Kosovës, që në këtë ditë dhanë shembull të një kulture të lartë demokratike”, tha Daka.
Ajo shtoi se, së shpejti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me shpalljen e rezultateve preliminare.