Ndërlidhjet

Kosova refuzon kërkesën e Serbisë për rastin e Banjskës


Zyrtarët policorë duke patrulluar në Banjskë, pak pas sulmit të 24 shtatorit 2023.
Zyrtarët policorë duke patrulluar në Banjskë, pak pas sulmit të 24 shtatorit 2023.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka thënë të mërkurën se kërkesa e Serbisë për të siguruar informacione për sulmin në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë, është në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t'i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin – që Kosova e konsideron terrorist - e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili tani besohet se është në Serbi.

Hetimet për këtë rast po kryhen në Kosovë nga Prokuroria Speciale, dhe burimet e Radios Evropa e Lirë brenda këtij institucioni, kanë thënë se para vjeshtës pritet të ngrihet një aktakuzë në rastin Banjska.

Hetime për këtë rast po kryen edhe Prokuroria e Lartë në Beograd, e cila ka kërkuar informacione në Kosovë për rastin Banjska, përmes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka konfirmuar javë më parë për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Serbisë dhe ua ka përcjellë autoriteteve të Kosovës.

Në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë është përmendur që Kosova nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga Serbia, në kërkesën e bërë në tetor të vitit të kaluar, "për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

Kjo ministri ka bërë thirrje për kryerjen e një hetimi ndërkombëtar për, siç ka thënë, “bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 gusht se, Kosova mund të ndihmojë në mbajtjen e Radoiçiqit përgjegjës për veprën penale.

Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka thënë Hovenier.

Mekanizmi ndërkombëtar u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Serbi që t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë rast.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG