Ndërlidhjet

Kosova me plan për t’i kthyer ata që luftuan në Siri dhe Irak


Luftëtar i Frontit Al- Nusra (Foto nga arkivi)
Luftëtar i Frontit Al- Nusra (Foto nga arkivi)

Rreth 200 qytetarë të Kosovës, vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, duke përshirë edhe shumë fëmijë të lindur atje.

Këto dhe të gjetura të tjera, që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe luftën kundër këtij problemi global, janë pasqyruar në Raportin e vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, për terrorizmin në botë në vitin 2017.

Aty thuhet, po ashtu, se Kosova vazhdoi t’i kundërvihet kërcënimit gjithnjë në rritje të terrorizmit. Në raport thuhet se rreth 403 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t'iu bashkuar grupit militant Shteti Islamik apo Frontit al-Nusra, prej të cilëve rreth 74 kanë vdekur, ndërsa rreth 196 mbeten në këto zona konflikti.

Për kthimin e tyre në Kosovë, Qeveria ka një plan, mirëpo nuk dihet se kur ata do të mund të kthehen në vendlindje.

*Video nga arkivi: Riintegrimi pas vuajtjes së dënimit

Riintegrimi pas vuajtjes së dënimit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Lulzim Fushtica, koordinator nacional në Kryeministri për Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ata që kanë kryer krime në këto zona të luftës, do të përballen me drejtësinë.

“Ne kemi planin për kthimin e personave që gjenden në zonat e luftës. Kosova mbetet e hapur që të gjithë qytetarët e saj të kthehen në Republikën e Kosovës. Mirëpo, të gjithë ata që në mënyrë direkte apo indirekte, kanë qenë pjesë e organizatave terroriste ose kanë bërë ndonjë krim, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, thotë Fushtica.

Ai shton se Kosova dhe asnjë shtet tjetër nuk është imun nga ekstremizmi i dhunshëm.

“Asnjë shtet nuk është imun nga kjo dukuri globale, mirëpo nuk mund të them që Kosova është e rrezikuar nga ekstremizmi fetar. Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe me të gjitha bashkësitë tjera fetare në Republikën e Kosovës. Janë pjesë e përpjekjeve dhe punës sonë të përditshme”, thekson Fushtica.

DASH: Veriu i Kosovës ende me probleme

Në raport pasqyrohet edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës. Sipas të gjeturave të raportit, situata në veri ka vazhduar të kufizojë aftësinë e Qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në atë pjesë të vendit, megjithëse Ekzekutivi ka integruar me sukses gjyqtarët, prokurorët dhe stafin serb në institucionet gjyqësore të Kosovës në tetor, duke zgjeruar autoritetin gjyqësor të vendit dhe qasjen në drejtësi për qytetarët.

Mirëpo, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se veriu ka pasur probleme në vazhdimësi sa i përket integrimit të institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, ka pasur një zvarritje të pashpjegueshme edhe pas marrëveshjes në Bruksel.

Mushkolaj thotë se situata aktuale politike në Kosovë rreth ndryshimit të kufijve, e përmendur së fundi, mund të ndikojë negativisht.

*Video nga arkivi: Korrigjimin e lejon ligji ndërkombëtar, dëbimin jo

Korrigjimin e lejon ligji ndërkombëtar, dëbimin jo
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:07 0:00

​“Pavarësisht se ka pasur përpjekje dhe përparime jo të mëdha, por mbase solide në drejtim të përmirësimit të gjendjes në veri, megjithatë deklaratat e fundit dhe idetë e fundit, qoftë për të ashtuquajturin korrigjim të kufirit, qoftë për shkëmbim të territoreve, mund të ndikojnë negativisht dhe kjo na kthen mbrapa. Kjo do të ndikojë direkt edhe në jetën e qytetarëve”, thotë Imer Mushkolaj.

Pjesë e këtij raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit, janë edhe shtetet fqinje të Kosovës. Shqipëria, sipas tij këtij raporti, thuhet se gjatë vitit 2017, ishte një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terrorizmit dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në Koalicionin global për të mposhtur grupin militant, Shteti Islamik.

Aty thuhet se Shqipëria, dënon veprimet terroriste, financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona që janë në listat e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për kryerjen e veprave terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe krijimin apo pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Ndërkaq, Maqedonia, sipas këtij raporti, e cila është anëtare e Koalicionit global për të mposhtur grupin militant, Shteti Islamik, po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përpjekjet antiterroriste.

Edhe Kosova është anëtare e Koalicionit global për të mposhtur grupin militant, Shteti Islamik, dhe ka ndarë 100 mijë euro në mbështetje të këtij koalicioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG