Ndërlidhjet

Kosova nuk zbaton masa të reja ndaj Serbisë para takimit të Parisit


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Gjatë periudhës ndërmjet Samitit të Berlinit, të mbajtur tashmë më 29 prill, dhe takimit të ardhshëm të Parisit më 1 korrik, institucionet e Kosovë nuk do të aplikojnë masa shtesë ndaj Serbisë, por as nuk do të shfuqizojnë taksën doganore, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai tha se pas Samitit të Berlinit, vendosja e masave shtesë ndaj Serbisë para takimit të 1 korrikut në Paris, do të ishte hipokrizi, marrë parasysh zotimin e autoriteteve të Kosovës për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Këto komente ai i bëri në tryezën e diskutimit me shoqërinë civile me temën, "Dialogu Kosovë - Serbi pas takimit të Berlinit", të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Idetë për masa të reja reciprociteti ndaj Serbisë, i kanë lansuar ditëve të fundit disa nga ministrat dhe zyrtarët e Qeverisë aktuale të Kosovës, por të cilat Haradinaj i hodhi poshtë.

Kryeministri i Kosovës, ka kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian që të mos e ndërlidhin vazhdimin e dialogut me shfuqizimin e taksës doganore të cilën Qeveria e Kosovës u ka vënë importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Sipas tij, taksa nuk ka të bëj fare me dialogun.

“Është gabim pozicioni, edhe i Uashingtonit, edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, t’ia pranojnë kushtin Serbisë, heqjen e tarifës, për të vazhduar dialogun”, tha kryeministri Haradinaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën doganore të vendosur më 21 nëntor ndaj importeve nga Serbia, në mënyrë që t’i jepet rast procesit të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje të cilësuar si historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, Haradinaj tha se taksa nuk është pengesë për dialogun, duke thënë se ai nuk do të pranojë në asnjë mënyrë kushte për të vazhduar bisedimet me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës ishte mjaft i ashpër edhe ndaj promovuesve të ideve, që në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë të hapet edhe çështja e ndryshimit të kufijve. Ai tha se ide të tilla janë lansuar vetëm për interesa të personave të caktuar, por që në fakt, mund të përfundojnë me gjakderdhje t reja në Ballkan.

“Ne nuk kemi interes që të hapim (çështjen e Kosovës) Kosovën e 17 shkurtit, sepse këtë Kosovë të 17 shkurtit e ka mbyllur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ju siguroj se kushdo që ju thotë se përmes lëvizjes së kufijve ose ri-korrigjimit të kufijve arrihet paqja, nuk arrihet paqja, por arrihen luftërat dhe tragjeditë”, tha kryeministri Haradinaj.

Sipas tij, ata që dëshirojnë të propozojnë marrëveshje përmes kufijve, janë duke e bërë me qëllim që të fusin Ballkanin në jostabilitet minimum edhe për dy dekada tjera.

Në debat ka marrë pjesë edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet i cili tha se Samiti i Berlinit ka konfirmuar rëndësinë që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore me qëllim që të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka komentuar edhe idenë e lansuar qysh vitin e kaluar nga protagonistët e dialogut Kosovë – Serbi, për ndryshim apo korrigjim të kufirit, të cilën e ka cilësuar si jo adekuate.

“Ndryshimi i kufijve nuk funksionon dhe as nuk ka funksionuar kurrë në histori”, tha ambasadori zviceran, sipas të cilit, nëse lëvizin kufijtë, arsyet e konfliktit nuk do të thotë se do të zgjidhen. Ai tha se ndihej i lumtur që Samiti i Berlinit nuk u përqendrua në çështjen e kufijve, duke shpresuar se as në takimin e Parisit, më 1 korrik, çështja e kufijve të mos jetë temë e dialogut.

Duke përjashtuar si opsion idenë e ndryshimit të kufijve, në debat u hap edhe çështja se si të rregullohet pozita e komunitetit serb brenda Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, tha para përfaqësuesve të shoqërisë civile se zgjidhja parashihet edhe me Pakon e Ahtisaarit, si dokument gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, ku propozohet formimi i Asociacionit të komunave serbe, por pa kompetenca ekzekutive. Ai tha se çdo ide tjetër që çon kah modeli i Bosnjë e Hercegovinës përmes krijimit të një republike serbe në Kosovë, do të ishte i papranueshëm për autoritetet e Kosovës.

Tryeza e organizuar nga shoqëria civile, pasoi Samitin e Berlinit, të mbajtur më 29 prill, ku kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron morën dakordimet e Prishtinës dhe Beogradit për vazhdimin e takimeve, përkatësisht të dialogut në Paris, më 1 korrik.

Përfshirja e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përbën një përpjekje të re në kuadër të diplomacisë ndërkombëtare, marrë parasysh edhe faktin që procesi i dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Por, risia nga Berlini ishte se aty, Merkel dhe Macron e përjashtuan si ide çështjen e prekjes së kufijve si rezultat eventual i marrëveshjes Kosovë – Serbi, ide të cilën Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini nuk e kishin përkrahur dhe as refuzuar, por e kishin lënë më shumë në vullnetin e palëve në bisedime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG