Ndërlidhjet

Kosova nis procedurat për ratifikimin e Konventës së Stambollit


Prishtinë, fotografi nga arkivi.
Prishtinë, fotografi nga arkivi.

Institucionet e Kosovës kanë iniciuar procedurat ligjore të cilat mundësojnë më pas ratifikimin e Konventës së Stambollit, e njohur në botë si instrumenti më i mirë ligjor, për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.

Komisioni për legjislacion në Kuvendin e Kosovës bën të ditur se ka pasur në trajtim amendamentin me qëllim të përfshirjes së Konventës në Kushtetutën e Kosovës dhe e ka aprovuar si të tillë.

Janë 82 deputetë që e kanë nënshkruar këtë amendament.

Ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të ratifikojnë Konventën e Stambollit, pasi siç tha ai “nëse Kosova e merr këtë hap, udhëheqësit dërgojnë mesazh të fuqishëm se Kosova po përgatitet për integrimin euroatlantik".

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se ne seancën e radhës, në rend ditë është votimit i amendamentit me qëllim të përfshirjes së Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës.

Haxhiu tha se Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje është në vazhdën e mekanizmave të cilat po tentohet të aplikohen në Kosovë, për shkak të rasteve të shumta të dhunës në familje dhe vrasjeve të grave dhe vajzave që po ndodhin në vend.

Por, sipas saj, nuk mjafton vetëm ratifikimi dhe miratimi, përderisa institucionet kanë probleme me zbatueshmërinë e ligjeve.

“Në këtë kuptim, kemi shumë probleme me sistemin e drejtësisë, ku ende nuk e marrin seriozisht dhunën në familje. Kemi pasur raste të shumta ku ndonëse është raportuar për dhunë në familje, institucionet e sigurisë nuk kanë vepruar apo kemi raste të tjera kur nuk janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes nga gjyqtarët dhe kështu si pasojë e kësaj janë vrarë vajzat dhe gratë”.

“Sa më shumë mekanizma që e parandalojnë dhunën ndaj grave dhe dënojnë kriminelët janë të duhur, por pastaj mbetet të bëhet presion për zbatimin e tyre. Kosova ka konventa të tjera të përfshira edhe në Kushtetutë që janë mbi legjislacionin në fuqi, por që nuk ka vullnet për t’i adresuara ato, prandaj edhe Kosova është në gjendje të rëndë”, thotë Haxhiu.

Parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave të saj dhe ndjekja penale e dhunuesve janë bazamenti i Konventës së Stambollit. Kjo Konventë e njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi, kjo do të thotë që shtetet kanë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjen në mënyrën e duhur kësaj dhune.

Vitin e kaluar, në Kosovë janë raportuar mbi 1,000 raste të dhunës në familje, ndërsa pjesa më e madhe e viktimave kanë qenë gra.

Radio Evropë e Lirë pati raportuar disa herë për raste të dhunës në familje. Bukuria (emri i njohur për redaksinë) ishte një nga viktimat e dhunës në familje. Ajo kishte deklaruar se bashkëshorti i saj e ka rrahur vazhdimisht, atë dhe tre fëmijët që i kishin së bashku.

Bukuria kishte deklaruar se e kishte njoftuar disa herë policinë për dhunën që po ushtrohej ndaj saj nga burri, duke treguar po ashtu, se ai arrestohej, por zakonisht lirohej pas 48 orësh.

“Ka ushtruar dhunë vazhdimisht mbi mua. Më së shumti më ka rrahur me rrip. Edhe fëmijët i rrihte shumë. Ndonjëherë dilte nga shtëpia dhe nuk kthehej me ditë të tëra, pasi e donte jetën e natës dhe na linte pa ushqim në shtëpi".

"Unë detyrimisht shkoja te familja ime, për shkak se nuk punoj dhe nuk kisha para për të blerë ushqim. I kam fëmijët e vegjël dhe kishin nevojë si për gjëra ushqimore, po ashtu edhe për shumë gjëra të tjera”, tregon ajo.

Një nga rastet më të rënda të dhunës në familje në Kosovë ishte ai i vitit të kaluar, i cili përfundoi me krim të rëndë, ku një burrë vrau gruan e tij 40-vjeçare dhe vajzën e tij 9-vjeçare.

Lirije Kajtazi, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se duke pasur parasysh rritjen e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, është e domosdoshme që Kosovë të jetë pjesë e Konventës së Stambollit.

“Konventa e Stambollit ofron standarde se si duhet të mbrohet familja dhe viktima nga dhuna dhe njëkohësisht tregon se si duhet të trajtohen edhe kryesit e dhunës, gjë të cilën Kosova po dështon ta bëjë edhe pse e ka Ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje. Duke e pasur këtë Konventë pjesë të Kushtetutës, ne konsiderojmë se institucionet obligohen më tepër edhe në ndarjen e financiare që shpesh është një nga problemet për moszbatim, por edhe kujdesin institucional dhe përgjegjësinë institucionale në përgjithësi”, thotë Kajtazi.

Megjithatë, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje Albulena Haxhiu ngrit dilema se pasi Kosova ta ratifikojë Konventën e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, kush do të raportojë në Këshillin e Evropës.

“Problemi i vetëm që mund të qëndrojë në këtë pikë është raportimi në Këshillin e Evropës, ku tani Kosova nuk është anëtare e këtij mekanizmi. Dilemën që do ta shtrojmë në seancë është se nëse Kosova raportin në Këshillin e Evropës kush do të raportojë për Kosovën, pasi që është goditje e madhe nëse lejojmë që UNMIK-u të raportojë për Kosovën. Pra, e kemi vetëm këtë dilemë, por natyrisht që do t’i japim mbështetje kësaj Konvente pasi që e konsiderojmë që është shumë e rëndësishme”, thekson Haxhiu.

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje u hap për nënshkrim në vitin 2011, në Stamboll të Turqisë. Turqia ishte vendi i parë që ka ratifikuar këtë Konventë. Deri më tani kjo Konventë është nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është nënshkruese e kësaj Konvente dhe e vetmja që nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG