Ndërlidhjet

Kosova ndalon përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike


Logoja e platformës TikTok. Fotografi nga arkivi.
Logoja e platformës TikTok. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim që ndalon përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit TikTok në institucionet shtetërore të vendit.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 28 qershor, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bardhyl Dobra, tha se ndalimi i kësaj platforme bëhet për shkak të rreziqeve kibernetike që ajo paraqet.

Ky vendim ka për synim “të mbrojë institucionet shtetërore të Kosovës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibenernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të institucioneve të Kosovës", tha ai.

Vendimi i Qeverisë obligon të të gjitha institucionet publike të cilat janë pronare dhe administrojnë rrjete shtetërore të komunikimit “që të vendosin kufizimet nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të aplikacionit TikTok në ambientet zyrtare të punës. Po ashtu, të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar që në pajisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok dhe skedarët instalues të tij”, tha Dobra.

Qeveria e Kosovës tha se ndalimi i TikTok-ut në institucione u bë duke ndjekur shembullin edhe të shteteve aleate.

Shumë shtete në mbarë botën kanë vendosur kufizime ndaj kësaj platforme, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, teksa Bashkimi Evropian ka ndaluar përdorimin e TikTok-ut në institucionet e tij.

TikToku është një platformë në rrjetet sociale, përmes së cilës përdoruesit mund të krijojnë, shpërndajnë, por edhe të shikojnë video të shkurtra.

Ky aplikacion popullor është lansuar më 2016 dhe është në pronësi të kompanisë kineze të internetit, ByteDance.

Shqetësimet kryesore të sigurisë rreth këtij aplikacioni kanë të bëjnë me e mbledhjen, përdorimin dhe zbulimin e të dhënave personale të përdoruesve.

Shembull, ligjvënësit amerikanë vazhdimisht kanë shprehur shqetësime se autoritetet kineze mund ta detyrojnë ByteDance-in që t’ia dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milionë amerikanëve që e përdorin TikTok-un. Kjo pasi, një sërë ligjesh të sigurisë kombëtare në Kinë detyrojnë organizatat që të ndihmojnë shtetin që të grumbullojë të dhëna për inteligjencë, dhe ByteDance mund t’i nënshtrohet këtij ligji. Por, ByteDance ka deklaruar se kurrë nuk ka ndarë me autoritetet në Kinë të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet.

XS
SM
MD
LG