Ndërlidhjet

Osmani: 26 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Kosova ec e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se 26 vjet pas bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi, Kosova ec “krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur”.

Në një shkrim në Facebook, Osmani e përshkroi 24 marsin 1999 si dita kur “dita kur liria mori krahë” dhe “dita kur bota demokratike nuk heshti”.

“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, shkroi ajo.

Ajo i ka falënderuar aleatët e vendit që ndihmuan “kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran”.

NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshja u pasua nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ishte kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë u vendos një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administroi fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është i pranishëm edhe sot dhe kujdeset për sigurinë e Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG