Albin Tahiri i lindur në Slloveni, këtë vit do ta bartë flamurin e Kosovës në parakalimin e vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat nga 9-25 shkurt do të mbahen në PyeongChang të Koresë Jugore.
Skitari 28-vjeçar, është sportisti i vetëm që do të mbrojë ngjyrat e flamurit të Kosovës në këto gara.
Albin Tahiri është shprehur i lumtur që do të përfaqësojë Kosovën dhe shpreson që të bëjë krenar mbështetësit e tij.
Presidenti, Hashim Thaçi, i ka dorëzuar atij flamurin e Kosovës, me ç’rast, Tahiri tha se ndihet krenar që do ta përfaqësojë shtetin e tij në këto gara.
“Edhe unë ju falënderoj juve president, në emrin tim dhe të familjes time. Unë kam shumë respekt për flamurin e Kosovës dhe shpresoj që t’iu bëj krenar”, tha Tahiri.
Përfaqësimi i Kosovës me vetëm një sportist në këto Lojëra Dimërore, sipas gazetarit dhe komentuesit të sportit, Arben Berisha, nuk mund të shihet me optimizëm sa u përket medaljeve.
Sipas tij, shteti i Kosovës, nuk ka mundur të bëjë më shumë që në këto gara të ketë më shumë sportistë.
“Ka pasur edhe disa përpjekje të fundit që numri i sportistëve që do të na përfaqësojnë në Lojërat Olimpike Dimërore të jetë edhe më i madh, por fatkeqësisht ky ka qenë maksimumi që kemi bërë. Sportin e skijimit ne e kemi aktiv le të themi edhe për dekada do të thotë këtu në Kosovë dhe nuk është që nuk njihemi me këtë sport. Vetë prezenca e Albin Tahirit në Lojëra Olimpike, pra me meritë me kualifikim të tij. Ky është një lajm i mirë, sepse ka ende shtete që me vite të tëra, me dekada të tëra për të mos thënë me shekuj janë pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe ende nuk kanë arritur të fitojnë normë olimpike për t’u kualifikuar në Olimpiadë Dimërore”, tha Berisha, për Radion Evropa e Lirë.
Kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur optimist se Kosova gradualisht po arrin të ketë një përfaqësim dinjitoz në garat e mëdha sportive.
“Është sot një moment i veçantë i Kosovës, sepse pres delegacionin, sportistët, kryetarin, të cilët marrin pjesë në garat olimpike dimërore për herë të parë në historinë e Kosovës. Edhe për mua si president i vendit, edhe për shtetin dhe shoqërinë kosovare, është lajm edhe për gjithë botën pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në garat olimpike dimërore. Shpresoj se nuk do të jetë lajm vetëm pjesëmarrja, por do të kemi lajm të fuqishëm edhe fitimin e ndonjë medalje. Kemi besim të plotë në përkushtimin të aktiviteteve dhe talentin e Albinit, i cili do të na bën të ndihemi krenar të gjithëve, si Majlinda më herët edhe tash Albini, kështu që të gjithë jemi të orientuar, të fokusuar në mbështetje të fuqishme për Albinin dhe suksesin e tij”, ka thënë Thaçi.
Ndërkohë, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, tha se skitari Albin Tahiri është përgatitur dhe se nuk e ka pasur asnjë dilemë që do ta përfaqësojë Kosovën.
“Dorëzimi i flamurit te ekipi olimpik jam i sigurt se do të ndikoj në ngritjen e motivacionit te Albinit, i cili është përgatitur jashtëzakonisht mirë dhe asnjë dilemë nuk e ka pasur që t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës dhe më këtë rast, sinqerisht dua t’ju falënderoj për mbështetjen e përhershme për sportin, delegacionin, pjesëmarrjen tuaj në Rio dhe përpjekjeve tuaja për kundër agjendës së vështirë që të jeni edhe në PyeongChang. Padyshim se pjesëmarrja e juaj në PyeongChang do të rrisë jo vetëm motivacionin e Albinit, por të gjithë delegacionin që do të jemi atje dhe e di se jam shumë i sigurt se më këtë do të ngrihet edhe imazhi i shtetit të Kosovës”, tha Hasani.
Kosova, merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore. Përderisa në Lojërat Olimpike Verore tashmë ka një medalje të artë, me kampionen në xhudo, Majlinda Kelmendi.