Autoritetet në Kosovë presin që gjatë këtij viti Kosova të jetë anëtare e organizatës më të madhe të policisë në botë, INTERPOL.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtarësimin në këtë mekanizëm të sigurisë e konsiderojnë të një rëndësie kapitale për vendin.
Ministria e Punëve të Brendshme tanimë është informuar se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, ka vendosur që aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, ta vë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017.
Zëvendësministri në largim i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, thotë se futja në agjendë për t’u votuar anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është një e arritur e madhe, por që nuk mjafton vetëm kjo nëse nuk do të ketë rezultat pozitiv.
“Një nga mekanizmat që bën shkëmbimin e të dhënave është e një rëndësie kruciale, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjitha shtetet dhe është fat i mirë që është vlerësuar që edhe Kosova mund të jetë në këtë vit anëtare e INTERPOL-it, nëse votohet gjithsesi, por që rëndësia e saj është kapitale për vendin tonë, pasi që po flasim për shkëmbim në kohë reale të informatave të ndjeshme dhe atyre inteligjente në veçanti përballë këtyre kërcënimeve që po përjeton bota nga sulmet terroriste”, thekson Hoxha.
Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, shton Hoxha, do të avanconte shumë kapacitetet e Kosovës në luftën kundër të gjitha krimeve, si dhe do të fuqizonte shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL edhe në prill të vitit 2015, por vitin e kaluar kjo organizatë kishte suspenduar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.
Mosanëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm ishte theksuar nga ekspertë të sigurisë se bën më të vështirë edhe punën e Kosovës në luftimin e krimeve që tejkalojnë kufijtë shtetërorë dhe mbi të gjitha ekstremizmin e dhunshëm.
Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i ndihmon në veçanti luftës kundër terrorizimit.
“Sa i përket INTERPOL-it është shumë e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në kuptimin e mundësisë më të lehët të shkëmbimit të informacioneve, ndërkaq sa i përket EUROPL-it kjo çështje momentalisht është e pamundur. Edhe, deri më tani ka shkëmbim të informacioneve me INTERPOL kryesisht përmes UNMIK-ut. Megjithatë, anëtarësimi në INTERPOL i mundëson jo vetëm Kosovës, por edhe shteteve tjera anëtare të INTERPOL-i it që të kenë komunikim më direkt dhe më të shpejtë me institucionet e Kosovës”, thekson Ramadani.
Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj, ka vendosur bashkëpunim me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, por shkëmbimi i informatave kryesisht bëhet përmes Zyrës së Administratës së Kombeve të Bashkuara, që ka trashëguar Misionin e OKB-së në Kosovë, pas ristrukturimit të tij.
Dy institucionet ndërkombëtare të sigurisë, EUROPOL dhe INTERPOL, janë mekanizmat më të rëndësishëm dhe njëra nga detyrat e tyre shtrihet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë në luftimin e krimit, të çdo lloji.
Facebook Forum