Ndërlidhjet

Kosova ende pa vendim për vaksinimin e fëmijëve  


Një punonjëse e kujdesit shëndetësor i jep një studenti një dozë të vaksinës Sinovac Covid-19 të prodhimit kinez, në sallën e Universitetit Ekonomik në Tiranë më 18 tetor 2021.
Një punonjëse e kujdesit shëndetësor i jep një studenti një dozë të vaksinës Sinovac Covid-19 të prodhimit kinez, në sallën e Universitetit Ekonomik në Tiranë më 18 tetor 2021.

Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër për vaksinimin e personave të moshës 12 deri 15 vjeç kundër koronavirusit. Siç thonë, kjo mundësi është duke u shqyrtuar, por një vendim i tillë do të merret në “momentin e duhur”.

Nga muaji gusht, Qeveria e Kosovës ka lejuar imunizimin kundër koronavirusit edhe për personat mbi 16 vjeç, ndërsa për grupmoshën 12-15 vjeç, vaksinimi bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore.

Administrata Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe në muajin maj të këtij viti, ka autorizuar përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

SHBA-ja veçse është duke i vaksinuar fëmijët e moshave nga 12 vjeç e lart.

Kurse, më 27 tetor, një panel i qeverisë amerikane ka votuar për të rekomanduar vaksinën edhe për fëmijët e moshës nga pesë deri në 11 vjeç.

Kemajl Ratkoceri, nga komuna e Lipjanit, ekonomist me profesion, është baba i tre fëmijëve. Vajza e tij e vogël, tashmë është 14 vjeçe dhe ai shprehet i gatshëm të pranojë që ajo të vaksinohet nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet shëndetësore.

“Nëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka studime, fakte dhe rekomandon që vaksina nuk ka efekte tjera anësore, atëherë duhet t’i vaksinojmë edhe fëmijët. Po bazohemi edhe në të kaluarën edhe ne si fëmijë kemi pasur vaksina të ndryshme. Unë do të pranoj të vaksinohet vajza ime, ne duhet të bazohemi diku, unë nuk jam ekspert i fushës dhe bazohem në ekspertët e shëndetësisë, sepse nëse gjithsecili vepron me hamendje, atëherë nuk di se ku do të shkojmë”, thotë Ratkoceri.

Mjekët: Për t’u vaksinuar nuk duhet të ketë hezitim

Profesoresha e Mikrobiologjisë, Gjyle Mulliqi-Osmani, drejtoreshë e laboratorit privat “Mikrobiologjia” në Prishtinë, thotë se vaksinimi i fëmijëve në Kosovë duhet të bëhet edhe për ata nën moshën 12 vjeç. Hulumtimet e deritashme, thotë ajo, tregojnë se nuk ka ndonjë rrezik të veçantë nëse moshat e reja vaksinohen.

“Gjithashtu, specifikat e Kosovës, numri i madh i nxënësve në një klasë, në kopshte, banimi me numër më të madh të anëtarëve në një shtëpi e shton edhe më tepër nevojën e vaksinimit të fëmijëve të moshës mbi 12 vjeç”, shprehet ajo për Radion Evropa e Lirë.

Argument tjetër për vaksinimin e fëmijëve, thotë Mulliqi-Osmani, është sepse fëmijët janë bartës të infeksionit, kurse në shumicën e rasteve sëmundja tek ata mund të kalojë me simptoma më të lehta.

Edhe pediatri Ramush Bejiqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se Kosova duhet t’i zbatojë rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të shëndetësisë. Kështu që qytetarët e Kosovës, sipas tij, nuk duhet të hezitojnë për imunizimin e fëmijëve të tyre.

“A kemi zgjidhje ne për këtë situatë? Unë mendoj se nuk kemi. Ne jemi pjesë e luftës globale kundër COVID-19 dhe problemeve që shkakton. Duke u bazuar në rekomandime shkencore dhe përvojë anë e mbanë botës, them se nëse fëmijët nuk kanë ndonjë sëmundje tjetër, e cila rrezikon sistemin imunitar të tyre dhe nuk kanë probleme tjera, nuk besoj se janë grup më shumë i rrezikuar se grupet tjera”, shprehet ai.

Vaksinimi i fëmijëve në vendet e rajonit dhe të botës

Disa nga vendet e rajonit dhe në botë, tashmë kanë filluar vaksinimin e adoleshentëve. Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kanë nisur vaksinimin e fëmijëve nga mosha 12 vjeç e tutje.

Edhe shumë shtete në botë dhe Evropë kanë filluar përdorimin e vaksinës te fëmijët 12 vjeç e lartë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Italia Irlanda, Polonia, Franca, Zvicra dhe Suedia Veriut janë disa nga shtetet ku bëhet vaksinimi te fëmijët.

Në Kosovë nga muaji mars i vitit 2021, kur ka filluar procesi i imunizimit, deri më tani, janë dhënë mbi 1.5 milionë doza të vaksinës. Prej tyre, mbi 720 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër koronavirusit. Imunizimi bëhet për të gjithë personat mbi moshën 16 vjeç.

Por, javët e fundit në Kosovë është ulur numri i personave të infektuar me koronavirus dhe në të njëjtën periudhë ka rënë edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19. Nga 20 mijë vaksina sa janë dhënë brenda një dite muajin e kaluar, në ditët e fundit ky numër ka rënë në rreth 7,000.

Ministria e Shëndetësisë, të premten më 29 tetor, ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim. Në një postim në rrjetin social Facebook, thuhet se situata epidemiologjike, relativisht e qetë nuk përbën arsye që qytetarët që kanë marrë dozë e parë të vaksinës ta vonojnë marrjen e dozës së dytë, sepse kjo e pamundëson arritjen e mbrojtjes efikase dhe imunitetit të plotë. Më tutje thuhet se vaksinimi vazhdon të jetë mënyra më e lehtë, më e sigurt dhe më efikase për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG