Ndërlidhjet

Në Kosovë arrijnë vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja


Një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech. Fotografi ilustruese.
Një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech. Fotografi ilustruese.

Në Kosovë të premten arriti kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontingjent prej 35.100 dozash të vaksinës kundër koronavirusit, është në kuadër të donacionit prej mbi 500.000 vaksinave që SHBA-ja do të dhurojë për Kosovën, përmes programit COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për shtetet e varfra.

Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë, pas arritjes së këtij kontingjenti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në mars i kishte shkruar presidentit amerikan, Joe Biden për t’i kërkuar që të dërgojë në Kosovë vaksina.

“Vlera e këtij donacioni vaksinash shkon përtej numrave. Sot triumfon solidariteti dhe rikonfirmohet edhe miqësia e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës. Ky veprim është vula e shprehjes sonë popullore se ‘miku i mirë shihet në ditë të vështira’”, tha Osmani.

Të pavaksinuarit me COVID-19 apelojnë për imunizim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pavarësisht se Kosova ka qenë shteti i fundit në rajon që ka nisur procesin e imunizimit në fund të marsit, ky proces, sipas tij, është duke shkuar mirë dhe theksoi se deri në fund të vitit do të arrihet synimi i qeverisë, që të vaksinohet 60 për qind e popullatës.

“Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Kurti.

“Po përballemi me një pandemi të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës është vaksinimi”, shtoi ai.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett rikujtoi se vendi i tij është donatori më i madh i COVAX-it ku ka kontribuar me 2 miliardë dollarë.

“Kjo dhuratë nga populli amerikan është donacioni më i madh i vaksinave që Kosova ka marrë nga ndonjë shtet i vetëm apo organizatë”, tha Kosnett.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen, pasi theksoi se vetëm “së bashku mund ta mposhtim COVID-19”.

Departamenti amerikan i Shtetit, përmes një postimi në Twitter tha se zotimi i presidentit amerikan, Joe Biden për të ndihmuar partnerët në luftën kundër pandemisë, u jetësua me dërgimin e kontingjentit të parë në Kosovë.

“Sot, populli amerikan mundësoi dërgimin në Kosovë të kontingjentit të parë prej 500 mijë vaksinash në total, të kompanisë Pfizer, që janë të sigurta dhe efektive. Ky është donacioni më i madh që i është bërë Kosovës nga ndonjë shtet”, tha DASH.

Donacioni i ri i vaksinave nga SHBA-ja erdhi në ditën kur Kosova regjistroi numër rekord të rasteve të reja, përkatësisht 2.250 infektime brenda një dite dhe katër viktima.

Deri më tani, në Kosovë 227.581 persona janë vaksinuar plotësisht, me të dy dozat e vaksinës. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i dozave të administruara është 666.476.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG