“Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Në një intervistë për Radion Kontakt Plus, Kosnett tha se “historia nuk fillon në ditën kur është formuar Qeveria e Albin Kurtit”.
“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti - Qeveria e të cilit është zgjedhur më 22 mars - ka thënë se në Kosovë “nuk mund të formohet asociacion njëetnik”.
Në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kryeson delegacionin e Serbisë në dialog, insiston në formimin e Asociacionit.
Edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka përsëritur në disa raste se marrëveshjet e arritura, duhet të respektohen.
Duke folur për Kontakt Plus, Kosnett tha se nuk do të ketë hapësirë për përparim, nëse dy palët nuk janë të gatshme për kompromise.
“E di që disa njerëz kanë thënë se ‘ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë një kompromis’. Kjo nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, tha Kosnett.
“Qeveria në Prishtinë ankohet se nuk ka pasur asnjë kompromis nga Beogradi, se Beogradi nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij. Kjo është pikërisht ajo për të cilën palët duhet të ulen dhe të flasin dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, tha Kosnett.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur qysh në vitin 2011.
Këtë javë është mbajtur rundi i fundit i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.
Në këtë takim janë shprehur vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve, ndërsa pajtim është arritur vetëm për mbajtjen e takimit të radhës në muajin korrik.
Video: