Koreja e Veriut ka thënë të hënën se kanë dështuar përpjekjet e saj për ta dërguar një satelit tjetër spiun në orbitë.
Mediat shtetërore të Koresë së Veriut thanë se raketa që po bartte satelitin spiun shpërtheu midis ajrit të hënën.
Dështimi i motorit ka mundësi ta ketë shkaktuar shpërthimin, sipas mediave shtetërore verikoreane.
Më herët, Koreja e Jugut dhe Japonia thanë se e kishin vërejtur lëshimin e satelitit spiun nga Koreja e Veriut.
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se e vërejti lëshimin e raketës nga qendra kryesore hapësinore e Veriut në verilindje të hënën.
Ai tha në një komunikatë për media se Veriu e lëshoi raketën në drejtin jugor pranë bregdetit perëndimor të Gadishullit Korean. Pak minuta pas lëshimit, sipas shtabit jugkorean, shumë copëza të raketës u panë në ujërat e gadishullit.
Koreja e Veriut e dërgoi satelitin e parë gjurmues ushtarak në orbitë në nëntor të vitit të kaluar, në përpjekje për ta ndërtuar në hapësirë një rrjet vëzhgimi për t’u ballafaquar me, siç thotë, kërcënimet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja.
Më vonë, lideri verikorean Kim Jong Un kishte thënë gjatë një takimi të partisë në pushtet se vendi do t’i lëshonte tre satelitë shtesë spiunë në vitin 2024.
Por asaj i dështuan dy satelitë spiunë qysh gjatë procesit të lëshimit.
Kombet e Bashkuara ia kanë ndaluar Koresë së Veriut lëshimin e satelitëve, duke e cilësuar atë si maskim të testimit të teknologjisë raketore me rreze të gjata veprimi.
Por Koreja e Veriut ka ngulur këmbë se ka të drejtë të lëshojë satelitë dhe të kryejë teste raketore.
Kimi ka thënë se satelitët spiunë do t’ia mundësojnë ushtrisë së tij t’i vëzhgojë më mirë aktivitetet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.