Ndërlidhjet

Koreja e Veriut teston dy raketa balistike


Kore e Veriut - fotografi arkivi
Kore e Veriut - fotografi arkivi

Koreja e Veriut testoi të hënën dy raketa balistike, porse njëra prej tyre mund të ketë fluturuar në mënyrë jonormale, tha ushtria e Koresë së Jugut.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm tha se raketat u lëshuan në një interval prej dhjetë minutash, nga qyteti Jangjon në juglindje të Koresë së Veriut.

Ai tha se raketa e parë fluturoi 600 kilometra dhe raketa e dytë 120 kilometra, por nuk tregoi se ku zbarkuan.

Koreja e Veriut zakonisht teston raketa drejt ujërave të saj lindore, por distanca e fluturimit të raketës së dytë ishte shumë e shkurtër për t’i arritur ato ujëra.

Zëdhënësi i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Lee Sung Joon, tha më vonë se raketa e dytë pësoi një fluturim të mundshëm jonormal, gjatë fazës fillestare të nisjes.

Testimet u bënë dy ditë pasi Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Japonia përfunduan stërvitjet e tyre ushtarake në rajon.

Viteve të fundit, këto vende e kanë zgjeruar partneritetin trepalësh të sigurisë, për të përballuar më mirë kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut, e po ashtu edhe rritjen e Kinës.

Të dielën, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut i dënoi fuqishëm stërvitjet e Jugut, SHBA-së dhe Japonisë, duke e quajtur partneritetin e tyre “version aziatik i NATO-s”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG