Ndërlidhjet

Koreja e Veriut thotë se simuloi një kundërsulm bërthamor


Lideri verikorean, Kim Jong Un. Fotografi nga arkivi.
Lideri verikorean, Kim Jong Un. Fotografi nga arkivi.

Koreja e Veriut tha të hënën se ka simuluar një sulm bërthamor në Korenë e Jugut, duke testuar raketa balistike gjatë fundjavës.

Lëshimi i raketave ishte demonstrimi i pestë që Koreja e Veriut ka kryer gjatë këtij muaji në shenjë proteste ndaj stërvitjeve më të mëdha të përbashkëta ushtarake në vite që kanë kryer Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, udhëzoi ushtrinë e tij që të kryejë më shumë stërvitje për të rritur gatishmërinë e luftës të forcave të tij bërthamore përballë “agresionit” nga armiqtë e tij, raportoi media shtetërore.

Ushtritë e Koresë së Jugut dhe Japonisë kanë detektuar lëshimin e një rakete me rreze të mesme veprimi në ujërat e bregdetit lindor të Veriut. Lëshimi i kësaj rakete besohet se ndodhi një orë para se SHBA-ja të fluturonte bombarduesit B-1B për trajnime me avionët luftarakë të Koresë së Jugut. Koreja e Veriut i ka cilësuar stërvitjet SHBA-Kore e Jugut si përgatitje për pushtim, edhe pse aleatët insistojnë se stërvitjet janë të natyrës së mbrojtjes. Disa ekspertë kanë argumentuar se Veriu i përdor këto stërvitje si pretekst për të avancuar programet e tij të armëve.

Agjencia shtetërore e lajmeve verikoreane, KCNA, tha se raketa, që fluturoi rreth 800 kilometra, ishte e pajisur me një kokë bërthamore të rreme. Kjo agjenci tha se testimi ishte i suksesshëm, duke shtuar se pajisje shpërtheu ashtu siç ishte planifikuar, 800 metra mbi ujë në vendin që ishte simuluar se ishte “një shënjestër e madhe e armikut”.

Agjencia tha se lëshimi i raketës ishte hapi i fundit i stërvitjeve dyditore që përfshiu edhe stërvitje të komandës bërthamore të stërvitjeve të kontrollit. Po ashtu, Koreja e Veriut kreu stërvitje të njësive ushtarake, përkatësisht të reagimit të tyre për kundërsulm bërthamor.

Këto stërvitje janë po ashtu “paralajmërim i fuqishëm” për SHBA-në dhe Korenë e Jugut “të cilat nuk po fshehin përpjekjet e tyre për të nisur një luftë” kundër Koresë së Veriut, tha KCNA.

Kim, sipas medias shtetërore, tha se armiqtë e tij “janë duke bërë lëvizje gjithnjë e më agresive”.

Koreja e Veriut pretendoi se raketa e fundit e lëshuar është modeluar në bazë të raketës ruse balistike, Iskander. Phenjani tha se këtë raketë e ka testuar që nga viti 2019. Kjo raketë thuhet se mund të fluturojë në lartësi të ulëta dhe ka mundësi të manovrimit.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG