Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka inspektuar bombarduesit strategjikë rusë, të aftë të bartin armë bërthamore, raketat hipersonike dhe luftanijet.
Lideri verikorean u mirëprit në bazën ajrore ruse Knevichi – rreth 50 kilometra larg qytetit Vlladivostok – nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë frikë se ringjallja e miqësisë mes Moskës dhe Phenianit mund t’i japë qasje Kimit në disa prej raketave më të ndjeshme të Rusisë dhe teknologji tjetër, përderisa ai në këmbim do ta ndihmonte Rusinë me armë, që i duhen për luftën në Ukrainë.
Shoigu i tregoi Kimit bombarduesit strategjikë të Rusisë – të llojit Tu-160, Tu-95 dhe Tu-22M3 – që janë të aftë të bartin armë bërthamore. Këta bombardues konsiderohen kyçë në forcën ruse të sulmit nga ajri, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
“Këto fluturake mund të fluturojnë nga Moska për në Japoni dhe të kthehen”, i tha Shoigu Kimit duke folur për njërin nga avionët.
Lideri verikorean po ashtu ka parë se si raketat lëshohen nga këto fluturake. Shoigu po ashtu i ka treguar atij aftësitë e helikopterit supersonik MiG-311, të pajisur me raketa hipersonike Kinzhal.
Kizhnal është një raketë balistike e aftë të bartë koka bërthamore. Raportohet se kjo lloj rakete ka rreze veprimi nga 1.500 deri në 2.000 kilometra dhe mund të bartë municion prej 480 kilogramësh. Kjo raketë po ashtu raportohet se mund të fluturojë deri në dhjetë herë më shpejtë se shpejtësia e zërit.
Koreja e Jugut dhe SHBA-ja thanë një ditë më herët se bashkëpunimi ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë shkel sanksionet e Kombeve të Bashkuara të vendosura ndaj Phenianit.
Rusia po i kushton shumë rëndësi mediatike vizitës së Kimit dhe vazhdimisht ka lënë të kuptohet për mundësinë e një bashkëpunimi ushtarak me Kimin.
Rusia po synon që të sigurojë armë për luftën e saj ndaj Ukrainës. Kim dhe presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën kanë biseduar për çështje ushtarake, luftën në Ukrainë dhe thellimin e bashkëpunimit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk ka asnjë plan që dy liderët të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje zyrtare gjatë kësaj vizite të liderit verikorean.