Ndërlidhjet

Partia në pushtet në Korenë e Jugut kërkon largimin e presidentit


Protestuesit në Seul kërkojnë largimin e presidentit Yoon Suk Yeol. 5 dhjetor 2024.
Protestuesit në Seul kërkojnë largimin e presidentit Yoon Suk Yeol. 5 dhjetor 2024.

Shefi i partisë në pushtet në Korenë e Jugut kërkoi që presidenti i vendit, Yoon Suk Yeol, të largohet nga detyra, duke paralajmëruar se ka një “rrezik të madh” që presidenti të tentojë që sërish të shpallë gjendje lufte.

Më 3 dhjetor, Yoon shpalli gjendje lufte, por u detyrua të tërhiqte vendimin pasi ligjvënësit u përballën me ushtrinë në Parlament dhe votuan për ta zhbërë vendimin dhe mijëra njerëz protestuan jashtë Parlamentit.

“Duke pasur parasysh faktet e reja që kanë dalë në dritë, unë besoj që pezullimi i menjëhershëm i detyrave të presidentit të Yoon Suk Yeol është i nevojshëm për të mbrojtur Republikën e Koresë dhe njerëzit e saj”, tha Han Dong-hoon, kreu i Partisë së Pushtetit Popullor të Yoonit, i cili vetëm një ditë më parë kishte kundërshtuar shkarkimin e presidentit.

Nëse Yoon qëndron në pushtet, “ka rrezik të madh që veprime ekstreme, të ngjashme me shpalljen e gjendjes së luftës, të përsëriten dhe të cilat mund ta vendosin Republikën e Koresë dhe popullin e saj në rrezik të madh”, tha Han.

Han tha se ka “prova të besueshme” që sugjerojnë se Yoon kishte urdhëruar arrestimin e “politikanëve kryesorë”.

Yoon “nuk e pranon se kjo shpallje e paligjshme e gjendjes së luftës është gjë e gabuar” dhe ai ka dështuar të veprojë kundër zyrtarëve ushtarakë “që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme”, shtoi Han.

Opozita veçse ka iniciuar një mocion për të rrëzuar nga pushteti Yoonin, që pritet të votohet të shtunën, por ende është e paqartë nëse ka vota të mjaftueshme që ky mocion të kalojë.

Por, deklaratat e Hanit paraqesin një ndryshim të madh të qëndrimit, pasi ai një ditë më parë tha se partia e tij do ta bllokonte mocionin, për miratimin e të cilit duhen dy të tretat e votave në Parlament.

Blloku opozitar ka 192 ulëse në Parlamentin me 300 deputetë, ndërkaq partia e Yoonit ka 108. Nëse mocioni për pezullimin e Yoonit nga posti i presidentit do të kalonte, atëherë vendimi për largimin e tij do të varej nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas mediave, Han do të takohet më 6 dhjetor me Yoonin, i cili nuk është parë në publik që nga orët e para të së mërkurës.

Ligjvënësi Jo Seung-lae, zëdhënës për Partinë Demokratike – partia kryesore opozitare – i tha AFP-së se të gjithë ligjvënësit e kësaj partie do të qëndrojnë brenda ndërtesës së Asamblesë Kombëtare deri në momentin e votimit të mocionit të shtunën.

Ai tha se ky vendim është marrë pas “shumë informacionesh që partia ka marrë” sa i përket mundësisë që Yoon për herë të dytë të shpallë gjendje lufte.

Policia në Korenë e Jugut ka nisur hetimet për akuza për kryengritje, akuza që janë iniciuar nga opozita kundër presidentit Yoon dhe zyrtarëve kryesorë shtetërorë.

Një ditë më herët, zyra e presidentit njoftoi se ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, ka dhënë dorëheqje, por aleatë të tjerë të presidentit të Koresë së Jugut, përfshirë ministrin e Brendshëm, Lee Sang-min, vazhdojnë të mbajnë postet e tyre.

Ligjvënësit kanë kritikuar edhe shefin e ushtrisë, gjeneralin Park An-su i cili shërbeu si personi kryesor për zbatimin e vendimit të gjendjes së luftës.

Më 5 dhjetor, Park tha se nuk kishte qenë në dijeni për situatën dhe e kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur vetëm kur presidenti e shpalli gjendjen e luftës gjatë një adresimi televiziv.

Gjatë adresimit të tij, Yoon tha se shpallja e gjendjes së luftës u bë për të “mbrojtur Korenë e Jugut liberale nga kërcënimet që paraqesin forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementet antishtetërore që po pengojnë liritë dhe lumturinë e popullit”.

Pas shpalljes së gjendjes së luftës, forcat e sigurisë e rrethuan Asamblenë Kombëtare dhe pothuajse 300 ushtarë tentuan ta merrnin kontrollin e ndërtesës.

Por, stafi i Parlamentit i bllokojë ushtarët që të hynin dhe deputetët që ishin brenda sallës plenare, votuan kundër vendimit të Yoonit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG