Ndërlidhjet

Koreja e Jugut do ta "zgjerojë shkallën" e ndihmës për Ukrainën


Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol (majtas) me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol (majtas) me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është zotuar të shtunën se do ta “zgjerojë shkallën” e ndihmës humanitare në Ukrainë.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një samiti të zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev.

Seuli “do ta zgjerojë shkallën e furnizimeve për dallim nga viti i kaluar, kur kemi dërguar materiale si helmeta dhe jelekë anti-plumbë”, ka thënë ai në një konferencë për media, pas takimit.

Yoon, i cili më herët e ka vizituar edhe qytetin ukrainas të Buçës – pa paralajmërim – ka shtuar se ndihma humanitare do të rritet në 150 milionë dollarë më 2023, për dallim nga 100 milionë dollarë vitin e kaluar.

Koreja Jugore, eksportuesja e nëntë më e madhe në botë e armëve, ka dërguar ndihmë humanitare në Ukrainë si dhe i ka shitur tanke dhe obusë Polonisë – aleatës kyçe të Kievit, teksa Ukraina e lufton pushtimin rus.

Megjithatë, Koreja e Jugut e ka respektuar politikën e mosdërgimit të armëve në zonat aktive të konfliktit, pavarësisht kërkesave të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe vetë Ukrainës që të bëjë më shumë.

Ekspertët paralajmërojnë se Koreja e Jugut është në pozicion të ndërlikuar për shkak të lidhjeve ekonomike që i ka me Rusinë, si dhe për shkak të ndikimit që ka Moska në Korenë Veriore, vend me të cilin Seuli është teknikisht në luftë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG