Ndërlidhjet

Seul: Ndalen përpjekjet për arrestimin e presidentit pas konfrontimeve


Protestuesit kundër presidentit të Koresë së Jugut protestojnë afër zyrës së tij në Seul.
Protestuesit kundër presidentit të Koresë së Jugut protestojnë afër zyrës së tij në Seul.

Hetuesit jugkoreanë ndalën përpjekjet e tyre për të arrestuar presidentin Yoon Suk Yeol në rezidencën e tij më 3 janar lidhur me shpalljen e gjendjes së luftës, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë pas një konfrontimi me ekipin e tij të sigurisë.

Yoon, i cili veçse është pezulluar nga detyrat e tij të presidentit pas një votimi të ligjvënësve, do të bëhej presidenti i parë në detyrë në historinë e Koresë së Jugut që do të arrestohej nëse do të zbatohej fletarrestimi.

Presidenti, i cili më 3 dhjetor 2024 njoftoi për shpalljen e gjendjes së luftës njoftim që tronditi demokracinë e Azisë Lindore dhe për një kohë të shkurtër riktheu në shtet sundimin ushtarak, përballet me shkarkim, ose në skenarin më të keq, me dënim me vdekje.

“Sa i përket ekzekutimit të fletarrestimit sot, u vendos se ekzekutimi do të ishte i pamundur për shkak të përplasjes së vazhdueshme”, tha përmes një deklarate Zyra për Hetimin e Korrupsionit, që po heton Yoonin lidhur me vendimin e tij për gjendjen e luftës.

“Shqetësimet për sigurinë e personelit në terren çuan deri te ndalja e vendimit” për përpjekjet për arrestim, u tha në deklaratë, ku u shtua se ka pasur konfrontim me shërbimin presidencial të sigurisë së Yoonit dhe njësisë së tij ushtarake.

Afati për zbatimin e fletarrestimit është të hënën, teksa Yoon më herët gjatë kësaj jave tha se do të “luftojë” me autoritetet që duan ta marrin atë në pyetje.

Hetuesit e Zyrës për Hetimin e Korrupsionit, përfshirë prokurorin e lartë, Lee Dae-hwan, më herët u lanë që të kalonin kordonin e sigurisë dhe hynë në rezidencë në përpjekje për të zbatuar fletarrestimin për Yoonin.

Por, ushtarët e shërbimit presidencial të sigurisë më pas u përfshin “në konfrontim me Zyrën për Hetimin e Korrupsionit në rezidencën presidenciale”, tha për AFP-në një anëtar i shtabit të përgjithshëm të Seulit.

Shërbimi i sigurisë së Yoonit – që e mbron ende atë si president i vendit – edhe më herët kishte bllokuar përpjekjet për bastisje policore në zyrën presidenciale.

Presidenti ka injoruar tri thirrje të hetuesve, duke i shtyrë ata që të kërkojnë një fletarrestim.

Ekipi ligjor i Yoonit ka kritikuar përpjekjet për ekzekutimin e fletarrestimit, duke paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të tjera ligjore kundër kësaj.

“Ekzekutimi i fletarrestimit, që është i ilegal dhe i pavlefshëm, realisht është joligjor”, tha avokati i Yoonit, Yoon Kap-keun.

Të premten, prokurorët po ashtu ngrenë akuza ndaj dy zyrtarëve të lartë ushtarakë, përfshirë edhe ndaj njërit që u emërua komandant i gjendjes së luftës, duke i akuzuar për kryengritje, raportoi Yonhap. Që të dy veçse janë në paraburgim.

Dhjetëra autobusë të policisë dhe qindra policë janë parë në qendër të Seulit. Afër 2.700 policë u dislokuan në zonë për të ndaluar përleshjet, raportoi Yonhap, pasi mbështetësit e Yoonit u përballën me protestuesit kundër tij një ditë më parë.

Mediat jugorekane kanë raportuar se hetuesit dëshironin të arrestonin Yoonin dhe ta dërgonin atë në zyrat e tyre për ta marrë në pyetje.

Pas kësaj, ai mund të dërgohej në mbajtje për 48 orë. Hetuesit më pas do të duhej të kërkonin një tjetër vendim të gjykatës për ta mbajtur atë në paraburgim.

Yoon po ashtu përballet me një seancë të ndarë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të konfirmojë apo refuzojë votimin në Parlament për shkarkimin e presidentit.

Në deklarimet e rralla të bëra lidhur me situatën politike në Jug, media shtetërore e Koresë së Veriut tha të premten se Seuli gjendet në një “kaos politik”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG