Maqedonia e Veriut më 11 mars ka mbyllur dyert e kopshteve për të gjithë fëmijët që nuk i kanë marrë tri dozat e vaksinës DTP kundër kollës së keqe.
Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor ka nisur me zbatimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e inspektimeve të jashtëzakonshme dhe ndalimin e pranimit të fëmijëve në institucionet parashkollore, të cilët nuk janë të imunizuar me dozat e nevojshme të vaksinës DTP kundër kollës së keqe.
“Inspektimet e jashtëzakonshme kanë nisur sot (e hënë) nëpër institucionet parashkollore për ndalimin e pranimit të fëmijëve të paimunizuar”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor.
Vendimi i Ministrisë pasoi thirrjen e Komisionit për Sëmundje Infektive për marrjen e masave serioze për mbajtjen nën kontroll të situatës, apo parandalimin e përhapjes së infektimit.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, deri më 6 mars, vetëm në Shkup janë evidentuar 141 persona të prekur nga kolla e keqe, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
“Qëllimi i nismës së Komisionit për Sëmundjes Infektive është që të mbrohet kategoria më e ndjeshme e qytetarëve e në këtë rast ata janë fëmijët nën moshën dy vjeçe. Vaksinimi është i domosdoshëm, si masë e vetme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve”, ka deklaruar Fadil Cana, drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Shkup.
Edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka shpallur epidemi të kollës së keqe në territorin e Shkupit, kontrollet mund të kryhen në të gjithë Maqedoninë e Veriut, edhe pa u shpallur epidemia, me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse.
“Ende nuk mund të themi se sëmundja po përhapet në nivel të shtetit dhe kjo është një gjë e mirë. Por, kjo nuk do të thotë që të mos ndërmerren masa, përkundrazi të gjithë duhet të jemi në krye të detyrës me ndërmarrjen e të gjitha masave për mbrojtje përhapja e virusit”, ka deklaruar Zllaten Memedoviq, nga Komisioni për Sëmundje Infektive.
Nga Komisioni, thonë se në kopshte nuk duhet të pranohen as fëmijët me sëmundje të tjera infektive, ndërsa për çdo rritje të numrit të fëmijëve që mungojnë, duhet të njoftohet Qendra e shëndet publik.
Doza e parë e vaksinës DTP u jepet fëmijëve në moshën 2-muajshe, doza e dytë në moshën 4-muajshe dhe doza e tretë në moshën 6-muajshe.
Rivaksinimi i parë kryhet një vit pas përfundimit të vaksinimit së parë, në moshën 18-muajshe. Rivaksinimi i dytë bëhet në klasën e dytë, apo në moshën 7-vjeçare.
Sipas të dhënave të muajit shkurt, në nivel të shtetit është vaksinuar rreth 83 për qind e popullatës, me tendencë të uljes së mëtejmë, gjë që edhe ka alarmuar institucionet shëndetësore mbi mundësinë e paraqitjes së sëmundjeve tjera infektive.
Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se që të arrihet imunizimi kolektiv duhet të jetë e vaksinuar mbi 95 për qind e popullsisë me të gjitha llojet e vaksinave.