Ndërlidhjet

Kontrolle nga distanca te mjeku i familjes 


Pajisja për telemjekësi.
Pajisja për telemjekësi.

Infeksioni i veshëve, i fytit, ethet, alergjitë, dhembja e stomakut apo gripi, janë vetëm disa prej sëmundjeve që mjekët familjarë në Maqedoni të Veriut mund t’i diagnostikojnë në distancë, përmes pajisjeve të specializuara digjitale.

Një sistem i tillë është mundësuar pasi disa ambulanca të shëndetësisë në këtë shtet kanë nisur të zbatojnë pilot-projektin, përmes së cilit mjekët, me ndihmën e aparatit të specializuar, kanë mundësi që nga distanca t’i kontrollojnë, diagnostikojnë dhe përshkruajnë ilaçet për pacientët e tyre.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tashmë janë trajnuar 30 mjekë familjarë dhe pediatër për të përdorur këtë lloj të aparatit.

Njëri prej tyre është Liridon Disha nga Tetova.

Ai tregon se një pajisje e tillë u jepet kryesisht pacientëve që kanë nevojë për kontrolle të vazhdueshme.

“Aparati në fjalë ka disa funksione. Mat temperaturën trupore të fëmijës ose të të rriturit, mat frekuencën e zemrës, dhe përmes një pjese që integrohet në këtë aparat mund të dëgjohen edhe mushkëritë, gjegjësisht frymëmarrja e pacientit”.

Ai ka treguar për Radion Evropa e Lirë se një pjesë shtesë që integrohet në aparat mundëson të bëhet dhe kontrolli i veshit dhe fytit.

“Ky aparat punon në atë mënyrë që brenda vetes ka një program të integruar dhe një program tjetër plotësues, i cili instalohet në telefon ose kompjuter dhe përmes tij, pacienti lidhet me mjekun familjar për të këmbyer të dhënat”, ka thënë Disha.

Disha ka përmendur edhe raste tjera kur hyn në funksion ky sistem.

“Shembull, nëse neve në ambulancë na paraqitet një pacient me simptoma jo bindëse për t’i përshkruar antibiotikun, ne mund t’ia japim aparatin këtij pacienti apo familjarëve, për t’i bërë bërë ekzaminimet nga shtëpia dhe ne mjekët përmes aplikacionit sugjerojmë trajtimin pa humbur kohë”.

Një mjek duke e kontrolluar pacienten e tij nga distanca. Fotografi ilustruese nga Japonia.
Një mjek duke e kontrolluar pacienten e tij nga distanca. Fotografi ilustruese nga Japonia.

Mjeku Kirill Soleski, specialist i mjekësisë familjare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky aparat lehtëson në masë të theksuar trajtimin e pacientëve me sëmundje kronike, pa qenë të detyruar që ata të shkojnë në institucione shëndetësore për kontrolle të shpeshta.

Mjeku Solevski beson se kjo mënyrë e diagnostikimit paraqet një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të avancimit të telemjekësisë.

“Këto aparate paraqesin një hap para, pa një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të asaj që ne e cilësojmë si telemjekësi, përkatësisht konsultimi i pacientëve me mjekun familjar përmes video-konsultimit në kohë reale. Në këtë mënyrë mund të bëjmë një kontroll të detajuar të pacientit gjatë gjithë kohës, përkatësisht diagnostikimin dhe ndjekjen e procesit të shërimit, veçanërisht për pacientët me sëmundje kronike”.

Soleskin tregon se aparati që janë duke përdorur mjekët në Maqedoni të Veriut prodhohet në Izrael dhe i njëjti është miratuar nga Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe.

Sipas tij informacionet që mblidhen nga pacienti mbeten të sigurta, me kusht që aparati të përdoret në mënyrë të drejtë.

“Bëhet fjalë për një kompani izraelite që ka krijuar këtë aparat gjatë izolimit nga pandemia e koronavirusit, dhe i njëjti është treguar i shkëlqyeshëm sa i përket analizimit të gjendjes së pacientëve, të cilët ishin të izoluar për shkak të infeksionit”.

Ky aparat tashmë përdoret në Izrael, Shtetet e Bashkuar, dhe së fundi edhe në Ukrainë, për shkak të luftës që ka shpërthyer në këtë shtet në fund të muajit shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG