Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Sipas kësaj marrëveshjeje, ndërtimi i termocentrali do të ketë një bllok prej 500 megavatëve dhe do të kushtojë 1.3 miliard euro.
ContourGlobal do të siguron kapitalin (30 për qind të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare, duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.
Termocentrali “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa sipas marrëveshjes Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto.
Jetëgjatësia e termocentralit "Kosova e Re" është llogaritur 40 vjet.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje të pranishëm ishin liderët e institucioneve të Kosovës, ambasador i Shteteve të Bashkuara Greg Delawie si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë.
Ambasador i Shteteve të Bashkuara Greg Delawie e konsideroi nënshkrimin e kontratës si një ditë e mirë për sigurinë energjetike të Kosovës.
Ai tha se duhet të zëvendësohet termocentrali Kosova A, i cili është i vjetruar dhe shkakton ndotje të ajrit. Ndërtimi i termocentralit i ri, sipas tij, është vital për të garantuar sigurinë energjetike të Kosovës.
“Pasi që ‘Kosova e Re’ do të ndërtohet në bazë të standardeve më të larta evropiane për mjedisin, do të prodhojë shumë më pak ndotje sesa termocentralet aktuale të Kosovës. Ky projekt gjithashtu është investimi më i madh i huaji në historinë e Kosovës. Kjo arritje është indikacion i qartë për mua se Kosova është gati për më shumë investime private nga e gjithë bota”, tha Delawie.
Marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re më kompaninë amerikane, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e konsideron edhe si vazhdimësi të partneritetit strategjik të Kosovës më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me te filluar operimi i termocentralit 'Kosova e Re' pritet të ketë një jetëgjatësi prej 40 viteve. Ky planifikim afatgjatë do të mundësojë shoqërisë sonë të projektojë një të ardhme prosperuese për gjeneratat që vinë, dhe kjo periudhë jo vetëm që do të kontribuojë në qëndrueshmërinë furnizuese, por do të garantojë pavarësi nga çmimet rajonale të energjisë, ku Kosova nuk do të varet në të ardhmen”, tha presidenti Thaçi.
Udhëheqësi i komitetit drejtues të projektit Countur Global, Joseph Brandt tha se ky projekt është i nevojshëm për të sjell një burim të qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike.
“Ne jemi gati të vazhdojmë tutje me këtë projekt. Është koha e duhur, vendi i duhur që ky projekt të jetësohet. Kosova A dhe B nuk do të duhej të ishin funksional. Ato po punojnë sepse pa to nuk ka energji elektrike të mjaftueshme. Në mënyrë që pavarësia energjetike e vendit të kalojë në fazën e ardhshme, që do të thotë edhe pavarësi edhe integrim të energjisë së ripërtërishme, ju duhet të keni një burim të sigurt të prodhimit të energjisë, sikurse çdo vend në rajon që e ka, dhe çdo vend në BE që e ka”, tha Brandt.
Contour Global ka parashikuar të krijojë Fondin për Zhvillimin e Komunitetit, buxheti i të cilit arrin një shumë prej 10 milionë euro e që do të investohen për një periudhë shtatë-vjeçare.
Këto mjete do të investohen në komunat që prek termocentrali “Kosova e Re”, me qëllim të përmirësimit të mjedisit social dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik përmes punësimit.
Ndërkohë, në fazën e dytë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale, Contour Global do të shpallë një proces ndërkombëtar të prokurimit për të përzgjedhur kompaninë e cila do të ndërtojë impiantin e termocentralit “Kosova e Re”. Deri më sot, interesim kanë shfaqur kompani me shtrirje globale si General Electric, Mitsubishi Hitachi, Siemens, Doosan, etj.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një konferencë për media pas nënshkrimit të marrëveshjes, ka theksuar se ky projekt përveç që do të siguroj pavarësi energjetike, do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Që nga viti 2019, unë besoj që vetëm me këtë projekt ato parashikimet e rritjes së Bruto Produktit Vendor do të tejkalojnë prej 5 apo 6 për qind, pasi që ka influencë të madhe edhe në hyrjen e investimeve të huaja direkte. Po ashtu, gjatë kohës së ndërtimit do të punësohen 10 mijë persona dhe gjatë kohës së operimit do të punësohen 500 persona”, tha Lluka.
Ndryshe, disa përfaqësues të shoqërisë civile vazhdojnë ta kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke e quajtur atë si një projekt të dëmshëm për mjedisin dhe për qytetarët.
Pasiguria me furnizim me energji elektrike është një nga problemet që ka përcjell Kosovën që nga paslufta.