Ndërlidhjet

Barnat e kontrabanduara, me afat të skaduar dhe të rrezikshme


Ilustrim
Ilustrim

Kontrabandimi me barna vazhdon të mbetet një prej problemeve të shumta në tregun farmaceutik në Kosovë.

Zyrtarë në Doganat e Kosovës thonë se barnat si produkte, mund të kontrabandohen shumë lehtë, për shkak se sasia e tyre nuk është e madhe, por vlera është mjaftë e lartë.

Adriatik Stavileci zyrtar në Doganat e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2017 janë kapur mbi 15 mijë kuti të barnave pa banderola. Sipas tij barnat e kontrabanduara vijnë kryesisht nga Serbia.

“Sa i përket kontrabandës me barna, Dogana e Kosovës normalisht që shtron kontrolle si në pikat kufitare, po ashtu edhe në brendi të vendit. Vetëm vitin e kaluar ne kemi pasur mbi 50 raste kur kemi hasur në tentim të kontrabandimit të barnave dhe gjitha këto raste kanë qenë edhe në barnatore, brenda në depo të kamufluara, por edhe gjatë kalimit të kufirit".

"Pra është një dukuri shqetësuese, por që nuk është në përmasa të mëdha. Zakonisht këto barna janë nga Serbia, por ka edhe nga vende të tjera kryesisht që përdoren për sëmundje të rralla e që kanë vlerë të madhe”, tha Stavileci.

Ditën e hënë, Policia e Kosovës ka gjetur sasi të barnave të dyshuara si mallra kontrabandë me banderola të Serbisë dhe afat të skaduar. Sipas vlerësimit fillestar, vlera e barnave të sekuestruara ka qenë rreth 20 mijë euro.

Kështu kanë thënë zyrtarë policorë, sipas të cilëve, një person i dyshuar është arrestuar në këtë operacion dhe pas intervistimit të tij, me urdhër të prokurorit të rastit nga prokuroria kompetente, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, farmacistët thonë se arsyeja e kontrabandës me barna bëhet për faktin se çmimet e barnave në Kosovë janë 100 për qind më të shtrenjta se në rajon.

Visar Ademi, farmacist tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet relevante nuk po bëjnë sa duhet për ta rregulluar unifikimin e çmimeve të barnave, andaj edhe kontrabanda është evidente prej vitesh.

“Unë mendoj se një prej arsyeve të kontrabandës së barnave është edhe mosunifikimi i çmimeve në Kosovë. Kosova ka çmimet më të larta të barnave në rajon”.

“Rajoni e ka të rregulluar këtë çështje. Mungesa e unifikimit të çmimeve ka bërë që në Kosovë çmimet e barnave të janë 100 për qind më të shtrenjta se në Serbi për shembull. Andaj edhe shumica e barnave të kontrabanduara vijnë nga Serbia”, tha Ademi.

Shaban Osmanaj, ushtrues detyre i drejtorit të Inspektoratit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë tha se janë disa arsye pse ende në Kosovë vazhdojnë të kontrabandohen barna.

"Një prej faktorëve është çmimi i lartë i barnave, meqenëse nuk ka unifikim të çmimeve dhe është në procedurë udhëzimi administrative për unifikimin e çmimeve”.

"Tjetra arsye mund të jetë edhe përshkrimi i ilaçeve që nuk janë të regjistruara në Kosovë, e mjekët përshkruajnë ato barna, dhe qytetarët i fusin në mënyrë të pakontrolluar brenda Kosovës”, thotë Osmanaj.

Sidoqoftë, Kosova nuk e ka një legjislacion që do t’i rregullonte çmimet e barnave në vend dhe kjo shfrytëzohet nga kompani të ndryshme, por edhe nga vetë qytetarë, për t’i futur në mënyrë ilegale barnat në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG