Partitë politike dhe kandidatët e tyre për kryetarë të komunave, duhet të presin deri të mërkurën, kur Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) ka paralajmëruar se do t'i shpall rezultatet përfundimtare, nëse eventualisht do të kontestojnë rezultatet nëpër komuna ta caktuara. Gjykata Supreme dhe jo Gjykata Kushtetuese, po shihet si mundësia e vetme për partitë dhe kandidatët nëse ia mësyjnë kontestimit eventual të rezultateve.
Përkundër paralajmërimeve që shpallja e rezultateve të bëhet të hënën, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ishin disa arsye tjera që ndikuan në shtyrje edhe për dy ditë.
Përveç ankesave të parashtruara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me procesin zgjedhor në Komunën e Istogut dhe atë të Kllokotit, Elezi tha se një arsye tjetër e shtyrjes ka të bëjë edhe me faktin që të martën është ditë feste dhe u ngushtohet hapësira subjekteve politike për ankesa.
"Dihet që të martën, është 28 Nëntori, dhe si ditë feste, është ditë pushimi dhe nëse do t'i shpallnim sot rezultatet, afati i ankesave do të binte në ditë feste. Kështu që nëse do të kërkohej ndonjë përgjigje nga ndonjë subjekt lidhur me ndonjë ankesë të mundshme, do të kishte prolongime", tha Elezi.
Subjektet politike kanë paralajmëruar se do t’i përdorin mjetet ligjore për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve në disa komuna. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë e Dragash, përderisa Partia Demokratike e Kosovës me rezultatin e zgjedhjeve në Prizren.
Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratike i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se janë edhe dy faza para KQZ-së, para se të konsiderohet i mbyllur i gjithë procesi i zgjedhjeve lokale.
“E para është shpallja e rezultateve, por të cilat nuk janë të certifikuara dhe përfundimtare, ngase pritet nëse ka ankesa brenda 24 orëve nga partitë politike dhe kandidatët e tyre për këto rezultate, nëse ka pasur parregullsi, qoftë në Qendrën e Numërimit lidhur me administrimin e procesit apo edhe me rezultatet në tërësi”, tha Krasniqi.
Pastaj, vijoi ai, janë 72 orë afat nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që të marrë vendim në lidhje me ankesat që i janë parashtruar.
“Po ashtu janë edhe 72 orë afat për ankimimin në Gjykatën Supreme në lidhje me vendimet e PZAP-së, e po ashtu edhe Gjykata i ka 72 orë për të përfunduar me procesin. Pasi të përfundojnë të gjitha këto ankesa, do të shihet nëse mund të kërkohet rinumërim, qoftë i pjesshëm apo i tërësishëm”, thekson Krasniqi.
Në interpretime të ndryshme, partitë politike kishin paralajmëruar edhe mundësinë e kontestimit të disa vendimeve në procesin zgjedhor në Gjykatën Kushtetuese. Një mundësi e tillë është përmendur sidomos në rastin e Prishtinës, ku LDK pretendon që kandidati i saj për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi është dëmtuar në këtë proces.
Por, analisti Albert Krasniqi sheh pak gjasa që Kushtetuesja të veprojë në rastin aktual.
Ai rikujton se në zgjedhjet e vitit 2010, ka pasur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese nga ana e kandidates së atëhershme të AKR-së, Mimoza Kusari-Lila. Por Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ajo nuk i ka shterur të gjitha mjetet juridike për të parashtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe si rrjedhojë e kishte hedhur poshtë ankesën e saj, ngase ankesat në PZAP dhe në Gjykatë Supreme kanë shkuar në emër të subjektit politik dhe jo në emër të kandidates.
“Gjykata Kushtetuese ka konsideruar se vetëm individët janë të autorizuar t'i paraqesin shkelje nga autoritetet publike në lidhje me të drejtat individuale dhe liritë e garantuara me Kushtetutë. Pra, nëse janë shkelur ose jo. Por, paraprakisht duhet të sheren të gjitha mjetet juridike. Andaj edhe në rastin e zgjedhjeve aktuale, ankesat që i kanë shkuar PZAP-së i janë drejtuar si LDK dhe jo si kandidat. Prandaj, ka gjasa që të shkohet me mënyrën e njëjtë si me rastin e Mimoza Kusari-Lila”, ka vlerësuar Krasniqi.
Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 22 tetor. Në këtë datë, u zgjodhën kryetarët e 19 komunave dhe asamblistët e rinj në 38 komunat e Kosovës. Kurse 19 komuna shkuan në balotazh në garën për kryetarë, ndërkaq në Kllokot u organizua rivotim.
Sipas rezultateve ende jo përfundimtare, në garën për kryetarë të komunave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në 8 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në 7, Partia Demokratike e Kosovës në 5 dhe Lëvizja Vetëvendosje në 3 komuna, përfshirë edhe Prishtinën, kryeqytetin Kosovës dhe Prizrenin, qytetin e dytë më të madh në Kosovë, Aleanca Kosova e Re dhe Nisma nga një 1 komunë, kurse në 2 komuna kanë fituar kandidatët e pavarur.
Ndërkaq nga komunitetet pakicë, Lista Serbe ka fituar në 10 komuna dhe Partia Demokratike Turke e Kosovës në 1 komunë.