Ligji për Fondin Sovran i miratuar në dhjetor të këtij viti në Kuvendin e Kosovës po kontestohet nga partitë opozitare.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e kanë dërguar për vlerësim këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.
Të dyja këto parti e konsiderojnë këtë ligj diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së lirë të tregut.
Çka është Fondi Sovran?
Nëpërmjet Ligjit për Fondin Sovran, e gjithë pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës pritet t’i bartet këtij Fondi.
Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale si Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës, Posta, Telekomi, Hekurudhat Infrakos dhe Hekurudhat Trainkos, si dhe asetet me potencial zhvillimor që tani administrohen nga Agjencia e Privatizimit.
Fondi Sovran do të menaxhojë me këto ndërmarrje duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen.
Për Qeverinë e Kosovës, Ligji për Fondin Sovran është një nga reformat më të mëdha për zhvillim ekonomik të vendit.
Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimin e keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.
Ligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës.
Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në Ligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës dhe bartet në llogarinë e Fondit në Bankën Qendrore.
Përmes administrimit të ndërmarrjeve dhe aseteve të Kosovës, Fondi Sovran synon "zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve".
Sipas PDK-së, 11 nene të këtij Ligji janë në mospërputhje me shtatë nene të Kushtetutës së Kosovës.
Në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës, sipas PDK-së, është edhe neni që flet për rolin investues të Fondit Sovran, si dhe krijimin e ndërmarrjeve, që njihen si ndërmarrje private që do t’i mbështesë Fondi.
Në këtë mënyrë, PDK-ja konsideron se krijohen monopole në treg pasi Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private, sipas dëshirës së tij, pa kushte e pa kritere.
Neni 31 i këtij ligji, i cili po kontestohet nga PDK-ja ka të bëjë me investimet brenda vendit.
Ky nen i këtij ligji i mundëson Fondit të investojë njëkohësisht dhe për kohë të konsiderueshme në së paku dy shoqëri private të sektorit, por mund të zvogëlojë ose të tërheqë kapitalin nga shoqëria që nuk performon mirë.
Ndërkaq, në nenin 32, Ligji për Fondin Sovran mund t’i japë përparësi investimit në sipërmarrje kampione.
Sipas këtij neni, si sipërmarrje kampione mund të certifikohet një kompani, e cila është themeluar si shoqëri aksionare, ka selinë, shumicën e kapitalit dhe veprimtarinë kryesore në Kosovë.
Po ashtu, si sipërmarrje kampione mund të certifikohet ajo kompani, e cila përqendrohet në prodhimin e mallrave ose në eksportin e mallrave ose shërbimeve, si dhe ka arritje të dëshmuara disavjeçare në prodhim ose eksport.
Një sipërmarrje kampione mund të certifikohet edhe nëse ka së paku pesëdhjetë punëtorë të rregullt.
Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) në një hulumtim që i ka bërë Projektligjit për Fondin Sovran, kundërshton autorizimet aktuale të Fondit Sovran që të bëjë investime në kompanitë private ku shteti bëhet pjesëmarrës në ekonomi.
Në këtë mënyrë, sipas GSJP-së ‘i vjen fundi ekonomisë së tregut’.
“Eksploatimi i kësaj gjendjeje përmes Fondit Sovran – ndër të tjera – si shoqëri aksionare që investon në kompani të brendshme private dhe komplementohet (plotësohet) nga skema e sipërmarrjeve kampionë, është e destinuar të vë vulën e fundit mbi tregun e lirë, edhe ashtu fragjil në Kosovë”, thuhet në hulumtimin e kësaj organizate.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në një reagim të bërë më 22 dhjetor, ka thënë se edhe pse themelimi i një Fondi Sovran mund të duket si një mënyrë për të mbështetur ekonominë, është i dukshëm diskriminimi ndaj ndërmarrjeve private.
Sipas tyre, të gjitha ndërmarrjet, pavarësisht nga struktura e tyre, kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ky parim mes tjerash, sipas OEAK-ut, është i ngulitur edhe në aktin më të lartë juridik të vendit, si bazë e rregullimit ekonomik.
Duke analizuar dispozitat e këtij ligji, OEAK-u thotë se ka vërejtur se nevojitet një qartësim më i saktë i disa dispozitave, për të shmangur interpretimet e dyanshme.
Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane konkludon se dispozita të caktuara janë në kundërshtim me dispozitat e akteve të tjera ligjore.
Projektligji ka përcaktuar edhe disa kushte të bartjes së aseteve në pronësi të Fondit.
Për t’u bartur një aset në pronësi të Fondit Sovran, njëra nga kushtet që përcakton projektligji është që aseti duhet të jetë i komercializueshëm dhe të premtojë fitim brenda një periudhe të arsyeshme.
Ndërkaq, nëse është ndërmarrje, duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë.
Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.
Qeveria, me krijimin e Fondit Sovran, ka paraparë shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.