Ndërlidhjet

Thellohet kontesti Shkup - Sofje


Flamuri i Bullgarisë(djthtas) dhe ai i Maqedonisë së Veriut(majtas) - Fotografi ilustruese.
Flamuri i Bullgarisë(djthtas) dhe ai i Maqedonisë së Veriut(majtas) - Fotografi ilustruese.

Maqedonia e Veriut, bazuar në zhvillimet fundit me Sofjen sa i përket kontestit lidhur me të kaluarën historike, por edhe polemikat së fundi pas hapjes së një qendre kulturore bullgare në qytetin e Manastirit, ka fare pak gjasa që në qershor të nisë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Këtë e ka bërë të ditur edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve bullgarë se Sofja ka refuzuar propozimin e fundit për zgjidhjen e kontestit, për përmbajtjen e të cilit opinioni ende nuk është njoftuar në detaje.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë njoftuar se bëhet fjalë për një propozim të Portugalisë, gjatë presidencës së këtij vendi me BE-në, që nuk cenonte gjuhën maqedonase dhe që garantonte zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, të arritur më 2 gusht të vitit 2017.

Pavarësisht kësaj, Osmani ka thënë se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet të dyja vendeve do të vazhdojnë, pasi përveç BE-së, s’ka alternativë tjetër për Maqedoninë e Veriut.

“Unë nuk them se bisedimet do të nisin në qershor. Por, unë them se ne duhet të punojmë pasi nuk kemi alternativë tjetër. Ne, mund të heqim dorë nga bisedimet, siç bëmë me Greqinë para 15 vjetëve, që t’i humbim 15 vjet dhe sërish të ulemi dhe të bisedojmë. Ne, duhet të kishim mësuar nga e kaluara. Ne nuk guxojmë të heqim dorë, do të vazhdojmë me bisedimet dhe asgjë nuk do të shkojë në dëm të interesave të qytetarëve tanë. Çfarëdo që mund të arrihet do të jetë në kornizat e deklaratës së miratuar në Kuvend”, ka deklaruar Osmani.

Sa i përket hapjes së qendrës kulturore bullgare në qytetin e Manastirit e që do të mbajë emrin e Vanço Mihajllovit, një personaliteti historik bullgar, që kishte luftuar përkrah fashistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe që ishte angazhuar për dy shtete (Bullgarinë dhe Maqedoninë) dhe një popull bullgar, Osmani ka thënë se bëhet fjalë për një provokim nga Sofja për të krijuar alibi, sipas tij, se Maqedonia e Veriut nuk respekton të drejtat e bullgarëve.

Hapja e qendrës kulturore "Vanço Mihajlov" në Manastir, ku mori pjesë edhe kryeministri bullgar, Kiril Petkov.
Hapja e qendrës kulturore "Vanço Mihajlov" në Manastir, ku mori pjesë edhe kryeministri bullgar, Kiril Petkov.

“Për ne ishte shumë me rëndësi që të mos biem në kurth të kësaj alibie që të marrim vendime, të cilat mund të rrënonin politikën tonë të shprehjes së lirë të qytetarëve sa i përket bindjeve të tyre mbi të kaluarën e kështu me radhë”, ka thënë Osmani.

Por, opozita vlerëson se Qeveria maqedonase me lejimin e hapjes së një qendre kulturore me emrin e personalitetit të kontestuar, i ka lejuar Sofjes që në territorin e Maqedonisë së Veriut të kontestojë shtetin dhe popullin maqedonas.

Sipas VMRO DPMNE-së, Qeveria bullgare nuk është e interesuar për zgjidhjen e kontestit.

“Qeveria bullgare, me mënyrën dhe qasjen e saj ndaj problemit me Maqedoninë[e Veriut], punon kundër arritjes së zgjidhjes së kontestit dhe në këtë mënyrë amniston veten nga përgjegjësia që ka ndaj institucioneve evropiane. Me një politikë të tillë, bullgarët vazhdojnë ta mohojnë popullin dhe shtetin maqedonas”, thotë Gjorgjia Sajkoski, sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.

Kontesti me Bullgarinë përplas zyrtarët maqedonas

Zaharieva: Bullgaria njeh vetëm identitetin e ri maqedonas

Risto Nikovski, njohës i çështjeve ndërkombëtare nuk pret që të ketë një zgjidhje të kontestit meqë, sipas tij, sikur Bullgaria të dëshironte një gjë të tillë, në këtë rast do të mjaftonte Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë.

“Situata është shumë absurde. Ne kemi marrëveshje për miqësi që po del të jetë marrëveshje për armiqësi, për mosbashkëpunim dhe jo fqinjësi në bazë të së cilës Bullgaria ka vendosur bllokadë. Nëse do të kishte vullnet të mirë nga Qeveria bullgare, kjo marrëveshje do të mjaftonte që dy vendet fare të mos kenë kontest”, ka thënë Nikovski.

Në nëntor të vitit 2020, Bullgaria i ka vendosur veto Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Heqjen saj kushtëzon me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjet e identitetit të maqedonasve, të kaluarën historike mes dy vendeve dhe së fundi me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG