Kongresi amerikan e ka certifikuar edhe formalisht fitoren e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër kandidates demokrate, nënpresidentes Kamala Harris, duke i hapur rrugën atij për t’u betuar si president më 20 janar.
Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të hënën në 50 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias u bë në një ceremoni formale dhe të shpejtë gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Seanca u udhëhoq nga Harris në rolin e presidentes së Senatit.
Ceremonia e së hënës kaloi plotësisht ndryshe krahasuar me atë të para katër vjetëve, kur një grup i mbështetësve të Trumpit e vërshuan Kongresin një përpjekje të dështuar për ta parandaluar certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, në të cilat ai e mposhti Trumpin.
Trumpi vazhdon të pretendojë rrejshëm se i humbi zgjedhjet e vitit 2020 si pasojë e manipulimit të gjerë.
“Kongresi e certifikoi fitoren tonë të madhe sot – ky është një moment i madh në histori. MAGA!” shkroi të hënën Trump në platformën e tij sociale, Truth Social,
Certifikimi përfundimtar konfirmon rezultatin preliminar se Trumpi i fitoi 312 vota elektorale, ndërsa Harrisi 226.
Republikanët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin
Republikanët gjithashtu siguruan shumicën në Senatin amerikan dhe ruajtën shumicën e ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, gjë që do t’i japë Trumpit mbështetjen partiake që i nevojitet për ta zbatuar agjendën e tij të planifikuar, duke përfshirë uljen e taksave dhe dëbimin e imigrantëve që jetojnë në mënyrë të paligjshme në vend.
Demokratët nuk tentuan të bllokonin certifikimin e fitores së Trumpit të hënën.
"Ne duhet ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për mbrojtjen e demokracisë amerikane", tha Katherine Clark, demokratja numër 2 në Dhomën e Përfaqësuesve. "Si liderë të zgjedhur, besnikëria jonë duhet të jetë ndaj Kushtetutës, së pari dhe gjithmonë. Jemi këtu për ta respektuar vullnetin e popullit dhe sundimin e ligjit".
Masat e sigurisë brenda dhe jashtë Kongresit u shtuan në përgatitje për certifikimin dhe pritet të mbeten në fuqi deri në betimin e Trumpit.
Hapësira përreth Kongresit u rrethua nga gardhe metalike, qindra metra larg ndërtesës, dhe hyrja lejohej vetëm përmes pikave të kontrollit të ruajtura nga oficerë policie.
Brenda ndërtesës, ekipe shtesë të policisë kontrollonin dokumentet e identitetit në pikat e hyrjes, përfshirë dyert dhe tunelet nëntokësore që çonin në dhomat e Dhomës dhe Senatit.
Trump ka thënë se synon t’i falë disa nga mbi 1.500 personat e akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e 6 janarit 2021 në Kongres, kur një turmë u përlesh me policinë, duke hyrë me forcë përmes dritareve dhe dyerve dhe duke thirrur, "Vareni Mike Pence", duke iu referuar zëvendëspresidentit të atëhershëm të Trumpit, në një përpjekje të dështuar për të ndaluar Kongresin nga certifikimi i fitores së Bidenit.
Gjatë trazirave të 2021 në Kongres, protestuesit kaluan barrikadat e policisë, sulmuan rreth 140 oficerë dhe shkaktuan më shumë se 2.8 milionë dollarë dëme. Disa oficerë policie që u përleshën me protestuesit vdiqën javët që pasuan, disa prej tyre për shkak të vetëvrasjes.
Si rezultat i dhunës së asaj dite, Kongresi miratoi legjislacion në fund të vitit 2022 për të forcuar mbrojtjet ligjore dhe për të siguruar që procesi i certifikimit të administrohet në mënyrë të ligjshme.
Shumë nga këto ndryshime ishin përgjigje direkte ndaj veprimeve të Trumpit para dhe gjatë 6 janarit 2021. Për shembull, ligji i ri përcakton se roli i zëvendëspresidentit është kryesisht ceremonial.