Ndërlidhjet

Lufta forcon unitetin në Izrael


Fotografi e realizuar gjatë ceremonisë mortore të ushtarit izraelit, Abraham Cohen. Jerusalem, 12 tetor 2023.
Fotografi e realizuar gjatë ceremonisë mortore të ushtarit izraelit, Abraham Cohen. Jerusalem, 12 tetor 2023.

AP

Jeta normale në Izrael është ndërprerë që kur Hamasi kreu sulme më 7 tetor. Tani, shteti është jashtëzakonisht i përqendruar në tri qëllime: kujtimin e të vdekurve, luftimin kundër militantëve në Gazë dhe shpëtimin e dhjetëra pengjeve.

Shkollat në mbarë vendin janë mbyllur. Rrugët kryesore janë pothuajse të zbrazura. Shumë dyqane dhe biznese janë mbyllur, përderisa punëtorët janë thirrur që t’iu bashkohen forcave rezervë të ushtrisë.

Fortifikimet e teknologjisë së lartë u shembën brenda minutash përballë një force që izraelitët më parë i shihnin si një grup terroristësh. Për herë të parë që nga lufta e vitit 1948 mbi krijimin e Izraelit, armiqtë pushtuan territorin izraelit – dhe morën me vete në Gazë të paktën 199 pengje civile.

Me qytetarët e tmerruar në jug, që barrikaduan veten në shtëpitë e tyre, ushtrisë iu deshën orë që të përgjigjej. Ndjenjat e cenueshmërisë dhe braktisjes vetëm u thelluan, përderisa familjet e dëshpëruara izraelite të personave të zhdukur dhe të kapur pengje për ditë të tëra nuk gjetën asnjë zyrtarë qeveritarë për të diskutuar për situatën e tyre.

“Nuk mundem të mos mendoj se si e gjithë gjenerata ime përjetësisht, në mënyrë kolektive, do të ketë çrregullime të stresit post-traumatik”, tha 23-vjeçari Iddo Tamir, shoku i të cilit është vrarë gjatë sulmit të Hamasit.

Në shtetin prej më pak se mbi 9 milionë banorë, pothuajse të gjithë njohin dikë që është vrarë, që është zhdukur apo që po mbahet peng.

“Izraeli është shtet i vogël”, tha Sahar Dayan, 25-vjeçarja nga një fshat në veri të Tel Avivit. “Nuk e kisha shok, por ishte shoku i shokut tim”.

Të dielën, Dayan e kaloi ditën duke marrë pjesë në funeralin e dy miqve të saj më të ngushtë, Noam Shallom dhe Bar Tomer. Ata kishin marrë pjesë në një festival muzikor kur militantët e Hamasit shkuan dhe hapën zjarr ndaj të pranishmëve. Militantët kryen një sërë sulmesh në qytete dhe fshatra, por edhe në disa baza ushtarake, në sulmet që i nisën mëngjesin e së shtunës, më 7 tetor.

Në përgjigje, Izraeli ka sulmuar Gazën me sulme ajrore, ka ndaluar që furnizimet me ushqim, ujë, karburante, energji elektrike dhe ilaçe të hyjnë në territor. Shteti po ashtu ka thirrur 360.000 rezervistë ushtarakë dhe pritet të kryejë një pushtim tokësor që për qëllim do të ketë shkatërrimin e Hamasit. Mbi 2.700 persona janë vrarë në anën palestineze.

Tamar Ashkenazi, autore e një libri që ndihmon me përparimin e humbjes, është e tmerruar për fatin e djalit të saj 22 vjeç, Yonatan. Ajo ka shmangur paraqitjet televizive pasi ai është nisur në luftë si parashutist.

“Nuk më pëlqen të dëgjoj njerëzit duke folur për një pushtim tokësor. Unë nuk besoj se kjo Qeveri do të kujdeset për djalin tim”, tha ajo.

Në javën e fundit, kanalet televizive po transmetojnë emisione speciale nën logon “Së bashku do të fitojmë” dhe “Së bashku jemi më të fortë”. Raportimet televizive përqendrohen në pasojat e sulmeve të Hamasit: për pikëllimin, heroizmin dhe unitetin kombëtar. Televizionet përmendin pak krizën humanitare që ka mbërthyer Gazën dhe gazetarët iu referohen militantëve të Hamasit si “nazistë” dhe “bastardë”.

Njerëzit po dhurojnë ushqim për ushtarët dhe punëtorët shëndetësorë, po ofrojnë shtëpitë e tyre për banorët e zhvendosur nga kufiri jugor me Gazën dhe po ashtu po vendosin slogane fitoreje nëpër udhëkryqet kryesore.

Çështja e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Gazë është kryetemë në shoqërinë izraelite. Familjarët e personave që janë të zhdukur apo që janë konfirmuar se janë marrë pengje kanë formuar organizata dhe punojnë me ekipet mediale që çështja e pengjeve të dalë vazhdimisht në media.

“Nuk mund të ha. Nuk mund të pi. Nuk mund të mendoj për asgjë tjetër”, tha Yoni Asher, duke folur për gruan e tij, dy vajzat e reja dhe vjehrrën që janë kapur rob nga Hamasi. “E di që bota diplomatike, bota politike është e ftohtë dhe cinike. Ju lutem, ju përgjërohen, mos i lëndoni ato, koha është kritike. Çdo ditë që kalon, shanset janë se vuajtja e tyre rritet”.

Të shtunën, qindra protestues u mblodhën para ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv duke bërë thirrje për kthimin e sigurt të pengjeve. Ata brohoritën “turp” dhe vendosën fotografitë e pengjeve në ndërtesën e Ministrisë. Slogane të shkruara në hebraisht thoshin “Bibi, duart e tua janë me gjak”, duke iu referuar me nofkë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Përderisa vajtojnë të vrarët dhe luten për të zhdukurit, izraelitët përballen me raketa të vazhdueshme që po gjuhen nga Gaza dhe vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar pas ofensivës ushtarake.

Edhe ata që nuk e mbështesin Qeverinë e ekstremit të djathtë të Izraelit dhe aktivistët kundër pushtimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli janë bashkuar pas ekzekutivit, edhe pse disa prej tyre kanë ndjenja të përziera.

Gjatë luftës në Gazë më 2014, disa izraelitë thanë se më parë do të shkonin në burg sesa të shërbenin në ushtri. Por, aktivistët progresivë thanë tani se kjo ndjenjë nuk është e pranishme tani dhe rezervistët po paraqiten me vullnet në ushtri.

“Nuk mendoj se është dikush që po refuzon t’i bashkohet ushtrisë tani për arsye ideologjike”, tha Benzion Sanders, që kundërshton politikën shumëvjeçare të Izraelit për kontroll ushtarak mbi palestinezët në Bregun Perëndimor. Por, ai tani ka dal vullnetar që t’iu bashkohet rezervistëve.

Rezervistët që më herët gjatë këtij viti deklaruan se do të refuzonin të shërbenin derisa Netanyahu të tërhiqej nga plani i Qeverisë së tij për reformën në gjyqësor, kanë ndaluar protestat. Tani ata thonë se duhet të bëhen bashkë për të shpëtuar Izraelin.

“Ne nuk po shërbejmë për Netanyahun. Ne po shërbejmë për shtetin”, tha Josh Drill, lider i lëvizjes protestuese, që në të kaluarën ka qenë ushtar. Drill, i cili më nuk mund të shërbejë në ushtri për shkaqe shëndetësore, tha se tre anëtarë të njësisë së tij janë vrarë gjatë betejës së parë. Ai parashikon se retorika e lëvizjes protestuese duhet të ndryshojë dhe të jetë në mes të kritikave për Netanyahun dhe mbështetjen e përpjekjeve të luftës.

Izraeli ka hyrë në atë që shumë tani e shohin si luftë për mbijetesën e shtetit. Qindra izraelit kanë ndërprerë udhëtimet jashtë shtetit, në mënyrë që të mund t’i bashkohen fushatës ushtarake. Shoqëria civile ka zëvendësuar zbrazëtinë që ka lënë Qeveria, duke organizuar përpjekje të ndihmës për të evakuuarit dhe duke ndihmuar në identifikimin e viktimave dhe pengjeve.

Tre nga katër fëmijët e Joshua Greenberg, profesor i neuroshkencë, po shërbejnë në ushtri. Një nga fëmijët e tij, Michael, 24 vjeç ka të ngjarë që të dërgohet në vijën e frontit. Sikurse shumë prindër, Greenberg është i shqetësuar për fëmijët e tij. Por, ai tha se të gjithë fëmijët e tij vet kanë vendosur që të shërbejnë në ushtri dhe ai përkrah këtë vendim.

“Për shkak të përmasave të kësaj tragjedie, Izraeli duhet të përgjigjet”, tha Greenberg.

“Fëmijët tanë do të shërbejnë në njësitë luftuese dhe do të shkojnë në zona të rrezikut për të mbrojtur të tjetër. Kjo është përgjigjja e duhur. Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG