Ndërlidhjet

Paratë nga konfiskimi i pasurisë mund t’u barten organeve të sigurisë dhe drejtësisë


Ilustrim
Ilustrim

Më shumë se 3.8 milionë euro llogaritet vlera e konfiskuar e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme gjatë pesë viteve të fundit, kurse vlera e pasurisë së sekuestruar, arrin në mbi 150 milionë euro.

Këto shifra tregojnë një disproporcion jashtëzakonisht të madh në mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar.

Konfiskimi nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent në pajtim me ligjin në fuqi, kurse sekuestrimi marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, përbën një nga shtyllat e luftimit të krimit të organizuar në Kosovë.

Ndërkaq, vetëm gjatë këtij viti, janë 200 mijë euro pasuri të konfiskuar përfundimisht. Rasti me vlerën më të madhe këtu, theksohet të jetë ai i konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme nga një zyrtar i një institucioni publik, ku gjykatat kanë vendosur t’ia konfiskojnë atij përfundimisht një shtëpi dhe një automjet si dobi pasurore të fituara me vepër penale.

Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Shqipdon Fazliu, koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, duke shtuar se vlera e pasurisë së sekuestruar dhe ngrirë për gjashtë muajit e këtij viti, arrin shumën prej 6 milionë eurosh.

Mjetet e ndara nga sekuestrimi dhe konfiskimi administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo agjenci e bën vlerësimin e vlerës së pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, si dhe përcakton mënyrën e ruajtjes së kësaj pasurie, mban evidencat për pasurinë, të cilën e administron si dhe mundëson shitjen e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, sipas vendimit të gjykatës kompetente.

Një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë të kësaj Agjencie thuhet se në administrim ka pasuri të paluajtshme si: parcela, shtëpi, banesa, lokale afariste. Kurse pasuri të luajtshme ka të tilla si: para kesh, sende të çmuara, mjete transporti, makineri e të tjera.

Mjetet monetare dhe sendet e çmuara ruhen në trezoret e Bankës Qendrore të Kosovës, kurse pasurit tjera ruhen në depon qendrore të AAPSK-së. Të hyrat nga konfiskimet barten në buxhetin e Shtetit, thuhet në përgjigje.

Në projektimin e buxhetit të vitit 2020, për herë të parë është krijuar një Fond Kombëtar i Konfiskimit, në bazë të të cilit vlera më e madhe mjeteve të mbledhura do të destinohen për organet e rendit, prokurorinë dhe gjyqësinë.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në largim të Financave, Bedri Hamza, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se fondet e përcaktuara për institucionet gjegjëse nuk duhet të përdoren për pagesën e pagave.

“Të gjitha mjetet që vijnë nga shitja e mallrave që konfiskohen, gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit, do të ndahen për institucionet që janë të angazhuara në luftimin e këtyre dukurive, siç janë Prokuroria, Policia dhe Gjyqësori. Kurse, një pjesë do të shkojë në projektet që kanë për qëllim mbështetjen e rendit dhe ligjit, për trajtimin e personave në varësi të drogave. Po ashtu dhe projekte tjera që janë për ndërgjegjësimin e publikimit që nënkupton që të veprojmë në mënyrë preventive që mos lejojmë të vijmë deri te këto dukuri”.

“Pra, të gjitha këto do t’u ndahen këtyre institucioneve në mënyrë që të kenë sa më shumë mjete dhe të ketë sa më shumë efikasitet në luftimin e këtyre dukurive”, tha Rafuna.

Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë që ky Fond është një iniciativë shumë e qëlluar dhe e mirëseardhur, pasi që, sipas tyre, praktika të tilla stimuluese janë të njohura në shumë shtete të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se suksesi i kësaj nisme varet edhe nga aktgjykimet finale dhe konfiskimi i pasurisë së fituar me vepra penale. Në mungesë të dënimeve dhe konfiskimeve, thotë Miftaraj, edhe kjo iniciativë do të jetë e mirë në letër, por e pazbatueshme në praktikë.

Ai thotë se vlerësuar si tërësi, sistemi i drejtësisë ka dështuar në konfiskimin e pasurisë së paligjshme të fituar nga aktivitete kriminale sidomos të zyrtarëve politikë.

“Sa i përket profilit të lartë kjo pothuajse është një fushë e panjohur për sistemin e drejtësisë në Kosovë, me vetë faktin se deri më tani ende nuk kemi asnjë zyrtar të profilit të lartë që është dënuar me burgim efektiv apo është në vuajtje të dënimit. Pjesa më shqetësuese është fakti se edhe në ato raste kur kemi të bëjmë me dënime, vepra penale korruptive apo ekonomike, prokurorët e shtetit rrallë herë, apo thuajse asnjëherë nuk paraqesin kërkesa për konfiskim dhe sekuestrim të pasurisë të fituar përmes veprave penale”, thotë Miftaraj.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare, tashmë sa herë kanë kërkuar që organet kompetente të merren më seriozisht me këtë çështje. Sipas tyre, pjesa më e madhe e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme në Kosovë, është në duart e njerëzve të pushtetshëm dhe rrjedhimisht, theksohet se ka munguar vullneti që këta persona të ndiqen penalisht dhe si rezultat i tërë kësaj, nuk ka pasur mundësi që pasuria e tyre të konfiskohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG