Ndërlidhjet

Çfarë të pritet nga takimi i Putinit me shtypin?


Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Konferenca e fundvitit e presidentit rus, Vladimir Putin, që mbahet më 23 dhjetor, vjen në një kohë tensionesh intensive midis Moskës dhe Perëndimit.

Rusia është duke grumbulluar forca pranë kufirit të saj me Ukrainën dhe duke kërkuar “garanci sigurie”, që do të bllokonin zgjerimin e NATO-s dhe do të kufizonin në mënyrë drastike aktivitetin e aleancës në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore.

Në të njëjtën kohë, autoritetet ruse janë angazhuar në një shtypje masive të mediave të pavarura, grupeve të shoqërisë civile dhe kundërshtarëve politikë.

Dhjetëra organizata dhe individë janë etiketuar si “agjentë të huaj” dhe janë kufizuar në mënyrë të rreptë.

Shumë të tjerë janë përballur me burgim dhe dënime të tjera, ndërsa disa janë larguar nga vendi, për të shmangur persekutimin e mundshëm për arsye politike.

Putin mban konferencën e fundvitit prejse është zgjedhur president në vitin 2001.

Qysh në vitin 2004, çdo konferencë shtypi ka zgjatur së paku tri orë. Vitin e kaluar ka qenë më e gjata: katër orë e gjysmë.

Megjithëse gazetarët e pranishëm në konferencë ftohen nga Kremlini dhe shkëmbimet me presidentin kontrollohen nga afër, disa tema do të jetë vështirë të shmangen.

Ukraina dhe siguria evropiane

Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Kievi kanë ngritur alarmin për rreth 100,000 ushtarë rusë, të vendosur pranë kufirit me Ukrainën dhe në Krime.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë se Moska është duke planifikuar një ofensivë të mundshme ushtarake, që nëse ndodh, mund të shpërthejë brenda javësh.

A do të ketë edhe një luftë në Ukrainë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:01 0:00

Putin ka thënë se nuk do luftë, por ka paralajmëruar se nëse luftimet shpërthejnë në ose pranë konfliktit ekzistues në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës, ky do të jetë faji i Kievit dhe Perëndimit.

Për t’i mbështetur argumentet e tij, ai ka bërë pretendime të pabaza për shpërndarjen e trupave amerikane dhe ukrainase.

Pas grumbullimit të ushtarëve rusë në kufi, Putin ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja që t’i japin Rusisë “garanci sigurie”, që do të ndryshonin në mënyrë drastike rendin e pas Luftës së Ftohtë, do të pengonin zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në lindje dhe do ta linin Ukrainën dhe disa vende të tjera si shtete të cenueshme, me sovranitet të kufizuar kur bëhet fjalë për çështjet ushtarake.

Në një forum të mbrojtjes, më 21 dhjetor, Putin ka fajësuar Perëndimin për të gjitha tensionet aktuale në Evropë, duke thënë se “në çdo hap, Rusia është detyruar të përgjigjet disi”. “Sot jemi në pikën ku jemi të detyruar që t’i zgjidhim gjërat disi”, ka thënë ai.

Në konferencën e tij për shtyp, Putin mund t’i përsërisë ose zgjerojë ankesat kundër NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Ai ka një histori të gjatë të fajësimit të Perëndimit për përkeqësim të sigurisë ndërkombëtare, ndërsa Rusinë e portretizon si viktimë të dëmtuar.

Ai mund t’i komentojë më në detaje propozimet që Rusia ka nxjerrë publikisht - në formë të projekt-traktateve - më 17 dhjetor.

Disa nga propozimet e Kremlinit menjëherë janë hedhur poshtë nga Uashingtoni dhe NATO-ja, veçanërisht përpjekjet për t’i dhënë Moskës veto në zgjerimin e NATO-s dhe për të negociuar sigurinë evropiane drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara, pa pjesëmarrjen e aleatëve dhe partnerëve evropianë.

Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se disa propozime ia vlejnë të diskutohen dhe se bisedimet për to ka të ngjarë të zhvillohen në janar.

Kështu që Putin mund ta shfrytëzojë konferencën e tij për shtyp për të shfaqur qëndrimin negociues të Rusisë, për të bërë paralajmërime të reja ose për të bërë vërejtje të tjera në lidhje me këtë çështje.

Shtypja

Në aspektin e brendshëm, autoritetet ruse kanë shtypur mediat e pavarura, organizatat e shoqërisë civile dhe kundërshtarët politikë - në mënyrë të paparë në kohët post-sovjetike.

Organizatat e lidhura me udhëheqësin e opozitës, Aleksei Navalny, janë ndaluar dhe shumë prej mbështetësve të tij kryesorë janë ndjekur penalisht, ose i janë nënshtruar presionit, saqë janë detyruar të largohen nga vendi.

Vetë Navalny është burgosur pas helmimit gati fatal me agjent nervor, në vitin 2020. Navalny ka fajësuar agjentët e sigurisë, që veprojnë me urdhra të Putinit, për sulmin me helm.

Kritikët ndërkombëtarë dhe vendas e kanë akuzuar Qeverinë e Putinit për hartim të ligjeve të tilla që shuajnë disidencën dhe persekutojnë kundërshtarët politikë.

Dhjetëra individë dhe organizata janë futur në listat e të ashtuquajturve “agjentë të huaj” të Rusisë, ose janë mbyllur, ose janë kufizuar.

Megjithëse shtypja e tillë është ndër çështjet më të rëndësishme brenda Rusisë, nuk mund të përjashtohet mundësia që Putin ta shmangë temën e tillë.

Nëse flet për këtë, është e sigurt se Navalnyn nuk do ta përmendë me emër.

Zgjedhjet

Në shtator, Rusia ka mbajtur zgjedhjet për Dumën e Shtetit, apo Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Pasi opozita është përjashtuar plotësisht dhe rregullat janë rishikuar, Partia Rusia e Bashkuar, e kontrolluar nga Kremlini, ka fituar 325 ulëse në Dhomën me 450 vende. Kjo shifër i ka dhënë asaj të ashtuquajturën super-shumicë kushtetuese.

Putin mund ta shfrytëzojë konferencën për shtyp për të lavdëruar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve - shumë të kritikuar - Ella Pamfilova.

Në pranverën e vitit 2020, Kremlini ka shtyrë përpara qindra amendamente kushtetuese, përfshirë një që i lejon Putinit - i cili do të bëhet 70 vjeç tetorin e ardhshëm - të garojë edhe për dy mandate të tjera presidenciale dhe ndoshta të mbetet në Kremlin deri në vitin 2036.

Në nëntor, Putin ka përsëritur se nuk ka vendosur nëse do të garojë sërish në vitin 2024, por ka thënë se “vetë ekzistenca e kësaj të drejte [për të kandiduar] po e stabilizon tashmë situatën e brendshme politike”.

Në Rusi dhe jashtë saj, audienca do ta përcjellë nga afër, për të parë nëse Putin jep ndonjë shenjë më shumë.

COVID-19

Ashtu si pjesa tjetër e botës, Rusia i ka kaluar dy vjetët e fundit duke luftuar me pandeminë COVID-19.

Javëve të fundit, sipas statistikave zyrtare, vdekjet nga sëmundja COVID-19 kanë shkuar në mbi 1,000 në ditë, edhe pse kritikët thonë se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta.

Gjatë konferencës së tij për shtyp, vitin e kaluar, Putin ka lavdëruar zyrtarët e Qeverisë në të gjitha nivelet për trajtimin e pandemisë.

Do të jetë interesante të shihet nëse atij i bëhen pyetje në lidhje me këtë çështje edhe këtë vit dhe, nëse po, të dëgjohet se si do të përgjigjet.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG