Ndërlidhjet

Reeker: Procesi i integrimit evropian, të ecë përpara


Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker (djathtas) dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ohër, 2 gusht, 2021.
Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker (djathtas) dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ohër, 2 gusht, 2021.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut vazhdoi të premten konferenca ndërkombëtare “Prespa Forum”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shteteve nga rajoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Në ditën e dytë të këtij forumi po merr pjesë edhe ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Diplomati i lartë amerikan u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin bisedoi për “forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik mes dy vendeve”, thuhet në një njoftim të kabinetit të presidentit maqedonas.

“Anëtarësimi në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të vlerësuar atë që është bërë deri më tani dhe të mundësojë zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Çdo vonesë e mëtejme për fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vend”, tha Pendarovski në takimin me diplomatin amerikan, Philip Reeker.

Reeker, në anën tjetër, tha se beson se Maqedonia e Veriut së shpejti do t'i nisë bisedimet e anëtarësimit në BE, ndërsa Marrëveshjen e Prespës tha se e sheh si shembull se si përmes dialogut mund të zgjidhen çështjet e hapura mes shteteve.

“Maqedonia e Veriut është në rrugën për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Unë jam i bindur që kjo do të ndodhë. Ne ia kemi bërë të qartë Qeverisë bullgare, si dhe një numri të anëtarëve të BE-së se ky proces duhet të ecë përpara… Por, ne kemi besim se kjo do të ndodhë. Diplomacia mund të sjellë një ndryshim të madh, duke ndihmuar vendet të gjejnë mënyra për t'i zgjidhur problemet dhe për të bërë përparim”, tha Reeker.

“Shikoni se çfarë do të thotë Marrëveshja e Prespës, në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë dhe më gjerë me marrëdhëniet në rajon. Për këtë po flet edhe presidenti [i SHBA-së, Joe] Biden, kur thotë se duhet të përqendrohemi në përdorimin e institucioneve dhe të diplomacisë për të bërë përparim. Ka sfida të mëdha në botë dhe askush nga ne, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk mund t'i zgjidhë ato vetë. Ne duhet t'i zgjidhim me miqtë, partnerët dhe aleatët”, tha Reeker për mediat në Ohër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të forumit të Ohrit, u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërsa paraprakisht me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Në forum merr pjesë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Bashkëpunimi dhe raportet e mira ndërfqinjësore janë tema e konferencës dyditore ndërkombëtare “Prespa Forum”.

Në ditën e parë të forumit, zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, shprehu dëshpërimin e tij që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjë që, sipas tij, mund të rrisë skepticizmin, por edhe mund të minojë rolin e SHBA-së dhe Evropës në sigurinë dhe integrimin e rajonit.

Palmer shprehu zhgënjimin edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG