Ndërlidhjet

Konferenca e Mynihut e gjen botën në “prag të një konflikti”


Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko gjatë fjalimit të tij në konferencën e Mynihut më 2016, foto nga arkivi
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko gjatë fjalimit të tij në konferencën e Mynihut më 2016, foto nga arkivi

Marrëdhëniet e tensionuara në mes të Rusisë dhe Perëndimit do të jenë në qendër të vëmendjes edhe një herë, pas mbledhjes së zyrtarëve të lartë në një konferencë për siguri.

Konferenca për Siguri në Mynih do të mbahet nga 16 deri më 18 shkurt dhe vjen në kohën e sfidave të frikshme me të cilat po përballet komuniteti global, duke përfshirë rrezikun bërthamor të Koresë Veriore, konfliktin në lindje në Ukrainës dhe ai në Siri.

Udhëheqësi i konferencës, Wolfgang Ischinger, ka paralajmëruar për përshkallëzim të tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Phenianit, marrëdhënie të tensionuara NATO-Rusi, rritje të “nacionalizmit dhe fanatizmit” duke i parë të gjitha këto si “ulje të disa prej parimeve kyçe të rendit ndërkombëtar”.

“Në vitin e kaluar, bota i është afruar shumë pragut të një konflikti të rëndësishëm” ka shkruar Ischinger në hyrje të raportit para nisjes së konferencës.

Organizatorët kanë thënë se në agjendën e kësaj konference theksohet roli i Bashkimit Evropian në botë, si dhe marrëdheniet e bllokut me Moskën e Uashingtonin, liderët e të cilave nuk është planifikuar të marrin pjesë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, në pjesëmarrjen e tij më 2007, pati shfrytëzuar këtë konferencë për të akuzuar Shtetet e Bashkuara për siç është shprehur, rolin e saj destabilizues dhe të rrezikshëm në botë.

Këtë vit Rusia përfaqësohet nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Matiss dhe këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, HR McMaster janë në mesin e pjesëmarrësve për ta përfaqësuar Uashingtonin në konferencë, ashtu sikurse drejtori i CIA-së, Mike Pompeo.

Vëmendja tek Ukraina

Lufta në mes të separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave të Kievit në lindje të Ukrainës, pritet të marrë vëmendje në Mynih.

I dërguari special i SHBA-së për konfliktin në Ukrainë, Kurt Volker dhe homologu i tij rus, Vladislav Surkov, janë shprehur optimistë sa i përket bisedimeve të tyre të fundit, për mundësinë e krijimit të një misioni të OKB-së për t’i dhënë fund luftimeve në lindje të Ukrainës, në të cilën janë vrarë më shumë se 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.

Volker, i cili pritet të jetë pjesë e konferencës në Mynih, në kohën e fundit ka treguar për më shumë “hapësirë bashkëpunimi” nga ana ruse në këtë çështje, mirëpo ka pasur një qasje shumë zhgënjyese dhe frustruese ndaj Survokit, sa I përket anës ruse, e cila nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë fund konfliktit apo për t’i tërhequr forcat e saj”.

Anders Fogh Rasmussen
Anders Fogh Rasmussen

Ish- sekretari i Përgjithshëm i NATOS-s, gjenerali, Anders Fogh Rasmussen, i cili aktualisht është këshilltar i presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, pritet të prezantojë një raport, sipas së cilit kërkohet një forcë e OKB-së prej 20,000 paqeruajtësish në lindje të Ukrainës.

Poroshenko që pritet të mbajë një fjalim më 16 shkurt, ka folur përmes telefonit me presidentin Putin gjatë kësaj jave.

Poroshenko u ka thënë gazetarëve në Kiev, se të dy liderët kanë diskutuar për perspektivën e paqeruajtësve të OKB-së në lindje të Ukrainës, si dhe marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 dhe 2015, me synim të arritjes të armëpushimit, të cilat kanë dështuar të zbatohen.

Ischinger ka thënë javën e kaluar se në margjina të kësaj konference pritet të mbahen bisedimet për paqe në të ashtuquajturin Formatin e Normandisë, ku përfshihen Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se, Lavrov do të takohet me homologët e tij nga Ukraina, Gjermania dhe shtete të tjera në Mynih, mirëpo se bisedimet në Formatin e Normandisë janë duke u planifikuar ende.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov

​Analisti për çështje të Jashtme me bazë në Moskë, Vladimir Frolov, ka thënë se fjalimi i Lavrovit nuk planifikohet të adresojë asgjë të papritur në konferencë, derisa bisedimet në Formatin e Normadisë mund të jenë të frytshme.

“Surkov dhe Volket kanë arritur shumë zhvillim në Dubai”, i ka thënë Frolov, Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar një takimi në mes të përfaqësuesve të SHBA-së dhe Rusisë në Gjirin Arab në muajin e kaluar.

“Potencialisht, gjërat mund të fillojnë të lëvizin atje”.

‘Shpresa ruse për partneritet’

Në Mynih, Lavrov mund të theksojë atë se Moska dhe Uashingtoni duhet të bashkëpunojnë në fushat e interesit të përbashkët, ka thënë drejtori i Qendrës për Shtetet e Bashkuara dhe Evropë në Insititutin Brookings me bazë në Uashington, Thomas Wright.

“Nuk mendoj se ata do të dorëzohen përballë administratës së Trumpit, sepse nuk e shoh që ata kanë humbur shpresën në përmirësimin e marrëdhënieve, u ka thënë Wright gazetarëve përmes një thirrje të organizuar nga Brookings, pak para mbajtjes së konferencës në Mynih.

“Mendoj se ata ende shpresojnë për një partneritet me Trumpin, ndonëse administrata amerikane është e ndarë në këtë aspekt”, ka shtuar Ëright.

Administrata e presidentit Trump ka mbajtur qëndrimin e linjës së paraardhësit Barack Obama, sa i përket veprimit rus për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014 apo për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Të dy këto veprime të Rusisë kanë shtyrë SHBA-në dhe BE-në që të sanksionojnë Moskën.

Presidenti amerikan, Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump

Mirëpo derisa Moska vazhdon të ankohet për sanksionet Perëndimore dhe administrata e Turmpit insiston se është duke ashpërsuar qasjen ndaj Moskës, ka pasur shenja se të dy palët janë duke tentuar të rregullojnë marrëdhëniet.

Në muajin dhjetor, Trump ka përshëndetur publikisht bashkëpunimin bilateral me Moskën, ndërsa edhe Shtëpia e Bardhë edhe Kremlini kanë thënë se dy shtetet kanë parandaluar një sulm terrorist në Shën Petesburg.

Trump po ashtu ka befasuar dhe nervozuar shumë persona në Uashington duke kundërshtuar vënien e sanksioneve të reja për Moskën në kundërshtim me masat e detyrueshme të Kongresit.

Këto sanksione kanë qëllim shtimin e presionit kundrejt Rusisë, për përfshirjen e saj në konfliktin në Ukrainë dhe Siri, si dhe për ndërhyrjen e supozuar të këtij vendi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

“Gara për superfuqi”

Studiesi i politikave të Jashtme në Institutin Brookings, Michael O'Hanlon, ka thënë se, konferenca në Mynih vjen pas publikimit të strategjive të administratës së Trumpit për siguri dhe mbrojtje, në të cilat Kina dhe Rusia portretizohen si regjime “revisioniste”, dhe ka përmendur fokusin në rritje në “garën për superfuqi’.

“Shumë persona do të kërkojnë të dëgjojnë më shumë nga Sekretari Mattis dhe gjenerali McMaster se çfarë do të thotë për ne që këto dy vende të jenë në fokus të çështjeve të sigurisë”, ka thënë O’Hanlon.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë pë Siguri Kombëtare, HR McMaster
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë pë Siguri Kombëtare, HR McMaster

McMaster pritet të flasë menjëherë pas fjalimit të Lavrovit më 17 shkurt.

Në mesin e anëtarëve të tjerë që pritet të marrin pjesë në konferencë janë edhe kryeministrja britanike, Theresa May, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kryeministri francez, Edouard Philippe, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu,ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif dhe kryeministri turk, Binali Yildirim.

Ndër sfidat e tjera që pritet të diskutohen në konferencën në Mynih janë edhe ato për bashkëpunimin në çështjet e mbrojtjes në BE dhe NATO, si dhe ndikimi i teknologjisë në demokraci dhe siguri bërthamore.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG