Ndërlidhjet

Moszbatimi i Marrëveshjes për normalizim anulon konferencën e donatorëve


Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i mbajtur në Bruksel më 2 maj 2023.
Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i mbajtur në Bruksel më 2 maj 2023.

Nuk do të ketë asgjë, për momentin, lidhur me konferencën e donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte planifikuar në marrëveshjet ndërmjet liderëve të dy shteteve në Bruksel dhe Ohër, mëson Radio Evropa e Lirë (REL) nga një burim në Bruksel.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) pajtohen që për momentin nuk ka vend për diskutime për organizimin e konferencës së donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte parashikuar në Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, e arritur nga liderët, më 27 shkurt në Bruksel dhe në Aneksin e zbatimit që u dakordua më 18 mars në Ohër.

Teksti i marrëveshjes parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve, 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën, por pagesa do të bëhej vetëm pasi të konstatohej se të gjitha pikat e marrëveshjes janë zbatuar.

Meqenëse asnjëra palë nuk ka zbatuar asnjërën nga pikat, për momentin nuk ka disponim për mbajtjen e konferencës së donatorëve, mëson REL-i në Bruksel.

Me këtë rast, përfaqësuesit e disa shteteve anëtare të BE-së theksuan se përgjegjësia, për heqjen nga agjenda të planeve për konferencë të donatorëve, është e të dyja palëve, sepse as Kosova e as Serbia nuk kanë filluar zbatimin e marrëveshjeve nga Ohri dhe Brukseli.

Kur bëhet fjalë vetëm për Kosovën, shtetet e BE-së paralajmëruan masa “simbolike” kundër Prishtinës, pasi të dërguarit e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, në raportin që parashtruan, i vlerësuan si “të vështira” bisedimet me kryeministrin e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Zyrtarët e kabinetit të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialog, Mirosllav Lajçak, kanë dorëzuar raportin para diplomatëve të vendeve anëtare të BE-së, për vizitën e tyre në Prishtinë dhe Beograd. Lajçak ka qëndruar atje, gjatë kësaj jave, me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç konfirmuan për REL-in disa burime, të pranishme në diskutim, për shkak të mosmarrjes së hapave drejt shtensionimit, e vetmja masë e menjëhershme që mund të ndërmerret në të ardhmen e afërt kundër autoriteteve të Kosovës është anulimi i takimit të Komisioni Evropian dhe Kosovës në një nënkomision në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

Anulimi i mundshëm i këtij takimi do të ishte një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë e Brukselit ndaj Prishtinës, për shkak të mosrespektimit të kërkesave ndërkombëtare lidhur me shtensioimin e situatës në veri të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG