Ndërlidhjet

Kompromiset e mëdha e bëjnë të vështirë dialogun Kosovë - Serbi


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Takimi i fundit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, ka shpërfaqur qëndrime diametralisht të kundërta në përpjekjet për të arritur deri te një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thonë analistë të çështjeve politike.

Në kuadër të dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian të mërkurën është zhvilluar një takim i përbashkët presidentit të Kosovës, Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.

E përbashkëta në deklaratat e tyre ishte se takimi ishte shumë i vështirë, kurse dallimet ishin thelbësore. Vuçiq, madje e kishte futur në kuadër të dialogut edhe vetë çështjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa Thaçi kishte deklaruar se pavarësia dhe tërësia e Kosovës nuk mund të diskutohen fare.

Çështjet e diskutuara ndërmjet dy presidentëve, sipas analistëve, janë të papajtueshme në thelb, në këtë fazë të dialogu.

Politologu, Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se dialogun e bëjnë të vështirë dallimet e mëdha në qëndrime ndërmjet dy presidentëve.

Sipas Tahirit, në Bruksel po bëhet një dialog pa agjendë, ku palët po i nxjerrin opsionet e veta për një marrëveshje të supozuar ndërmjet këtyre dy shteteve, pa u zgjidhur çështjet themelore.

“Koncepti i presidentit Vuçiq është se duhet të ketë një marrëveshje kompromisi ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, që është një pozicion krejt i pafavorshëm dhe ndryshe sa i përket shtetit të Kosovës. Po ashtu, Vuçiq thekson se do të mbrohet interesi i Serbisë dhe i serbëve të Kosovës. Kurse, pozicioni i Kosovës dhe Thaçit normalisht është se duhet të vendoset një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pikërisht këtu është dallimi që takimi është i vështirë dhe çështjet janë të papajtueshme në thelb”, thotë Tahiri.

Ai shton se presidenti Thaçi nuk e ka mandatin dhe nuk mund të bëjë marrëveshje, e cila nuk kalon në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, analisti i çështjeve politike nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, thotë për Radion Evropa e Lirë se të vështirë këtë fazë të dialogut e bën fillimi i qartësimit të pikave kryesore, të cilat do t’i përmbajë marrëveshja përfundimtare, e cila, sipas tij, pritet të ketë edhe kompromise që nuk do ta bëjnë asnjërën palë të kënaqur.

“Sa herë që flitet për punën e kompromiseve, dihet që duhet të hiqet dorë nga diçka për të fituar diçka tjetër dhe me gjasë kjo mund të jetë një arsye pse ky takim është konsideruar i vështirë, pasi që është konstatuar që qëndrimet nuk janë të përafërta dhe kompromiset duhet të jenë më të mëdha sesa që është pritur nga të dyja palët. Po ashtu, kur kemi të bëjmë edhe me kushtëzimet, ndoshta që do t’i vendosë Bashkimi Evropian në këtë asket, kjo mund të vështirësojë punën qoftë për liderët e Kosovës, qoftë të Serbisë”, thotë Murati.

Qëndrimet e kundërta të dy presidentëve, sipas analistëve në Prishtinë, do ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

(Video: Presidentët Thaçi dhe Vuçiq deklarohen pas takimit në Bruksel. 18 korrik, 2018)

Thaçi dhe Vuçiq flasin pas takimit në Bruksel
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:34 0:00

Analisti Murati thekson se një marrëveshje gjithsesi se do të ekzistojë, por se nëse qëndrimet janë shumë të largëta mes palëve, ashtu siç u shpërfaq në takimin e fundit, do të marrë kohë të gjatë.

Në anën tjetër, analisti Ramush Tahiri thotë se nuk sheh urgjencë që të këtë marrëveshje finale në këtë vit apo vitin tjetër. Sipas tij, e rëndësishme është të pranohet realiteti, të ruhet paqja e stabiliteti dhe të vazhdohet dialogu.

“Konsideroj se dialogu më i dobishëm është dialogu teknik, sepse absorbohen të gjitha çështjet që konsiderohen se janë pengesë dhe gjithashtu unë konsideroj se marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk është e ngutshme”.

“Unë mendoj se pasi të absorbohen të gjitha çështjet që konsiderohen teknike, marrëveshja politike do të vinte vetvetiu normalisht në frymën e Bashkimit Evropian”, thotë Tahiri, duke shtuar se marrëveshja nuk duhet të jetë në konceptin që dikush humb e dikush fiton, ose në konceptin se duhet të bëhet kompromis në kuadër të opsioneve politike pasi që opsionet janë të së kaluarës.

Një nga kërkesat e Bashkimit Evropian është që dialogu të intensifikohet dhe përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në Prishtinë, por edhe në Beograd, janë zhvilluar konsultime të brendshme për qëndrimet dhe pozicionet që do të mbajnë palët në raport me marrëveshjen që po paralajmërohet.

Të dyja palët kanë paralajmëruar vendime e kompromise të vështira.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG