Nga muaji nëntor i këtij viti, mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, do të fillojnë të marrin kompensimin ligjor, thonë zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Vlera e konvertuar në valutën euro për kontributin e tyre në mësimdhënie gjatë viteve të 90-ta nis nga 19 deri në 95 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar.
Kjo shumë atyre iu ndahet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999, i cili është miratuar në fund të muajit shkurt në Kuvendin e Kosovës dhe ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti.
Bahri Xhaferi, udhëheqës i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se janë mbi 7,500 parashtrues të kërkesës për kompensim.
“Paraqitja e kërkesave ka filluar nga muaji gusht, ka vazhduar në muajin shtator dhe vazhdon edhe më tutje. Janë mbi 7,500 kërkesa të paraqitura nga ish-mësimdhënës në mbarë territorin e Kosovës deri më tani. Kemi filluar edhe monitorimin e dokumentacionit të parashtruesve të kërkesave. Jemi në proces, ashtu siç është planifikuar deri te pagesa e tyre dhe po bëjmë përpjekje që pagesa të bëhet para muajit nëntor”, thotë Xhaferi.
Bazuar në një llogaritje të bërë, një mësimdhënës që ka punuar nëntë vjet do “shpërblehet” me 95 euro në muaj dhe pension kontributpagues prej 260 euro. Kjo nënkupton se ata do të paguhen 355 euro në muaj. Kurse shuma do të jetë më e vogël për mësimdhënësit që kanë punuar më shkurt.
Ndërkaq, në rast se personi ka vdekur, të drejtë kompensimi e ka edhe bashkëshortja ose bashkëshorti.
*Video nga arkivi: E kaluara dhe e tashmja e një mësimdhënëseje
Ish-punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës, që kanë punuar gjatë periudhës 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, nga data 15.08.2019, thotë Xhaferi, kanë filluar të paraqesin kërkesat për kompensim, ndërkaq ky afat mbyllet më 31 nëntor.
“Për të gjithë ata që parashtrojnë kërkesë deri në më 30 nëntor, do të ketë pagesë retroaktive nga muaji prill kur ka hyrë në fuqi ligji. Ndërsa për ata pas datës 1 dhjetor e tutje, realizmi i të drejtës për pagesë të kompensimit fillon nga data, respektivisht muaji i paraqitjes së kërkesës”, thotë Xhaferi.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, tha për Radion Evropa e Lirë se beson se do të respektohen afatet ligjore dhe pagesat për kompensim nuk do të ketë vonesa.
“Ende nuk ka filluar zbatimi i ligjit, kolegët tanë që kanë punuar në ato vite nuk e kanë marrë kompensimin, por na është premtuar se do ta marrin me pensionin e nëntorit, por që do t’i marrin në mënyrë retroaktive që nga muaji prill kur ka hyrë në fuqi edhe ligji. Për fillim janë rreth nëntë mijë persona që do të kompensohen, pastaj numri i tyre rritet. Por, ka edhe persona të cilët kanë kontribuar në atë kohë në arsim, por të cilët kanë vdekur”, thotë Jasharaj.
Përveç mësimdhënësve, sipas ligjit edhe pronarët e shtëpive që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre që të shfrytëzohen si shkolla, do të gëzojnë benificione si dhe punëtorët teknikë dhe shërbyesit.
Kostoja e zbatimit të ligjit, sipas një përgjigjeje të mëhershme të Ministrisë së Arsimit, për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro. Ndërkaq numri i mësimdhënësve të cilat ishin të angazhuar në procesin arsimor gjatë viteve 1990-1999 llogaritet të jetë rreth 23 mijë.
Në kohën kur ishte në proces ky ligj, Fondi Monetar Ndërkombëtar u kishte bërë thirrje institucioneve të Kosovës që mos të vazhdojë tutje me fuqizimin e Ligjit për punëtorët e arsimit gjatë viteve të 90-ta, sepse ishte vlerësuar se do të ishte një kosto shumë e lartë, për një vend të varfër siç është Kosova.
Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish-liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.