Ndërlidhjet

Ekspertët evropianë: Ligjet për LGBT në Hungari shkelin standardet ndërkombëtare


Parada e Krenarisë e mbajtur në Hungari më 24 korrik 2021.
Parada e Krenarisë e mbajtur në Hungari më 24 korrik 2021.

Një panel i ekspertëve të të drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës ka vlerësuar se ndryshimet e fundit ligjore në Hungari, që kanë të bëjnë me programet e edukimit seksual në shkolla dhe shfaqjen e përmbajtjeve seksuale në media, janë diskriminuese dhe shkelin standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Qeveria e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, kishte miratuar ndryshimet ligjore në muajin qershor, që nxitën kritika nga Komisioni Evropian dhe pjesëtarët e komunitetit LGBT, të cilët thanë se ligjet e reja stigmatizojnë minoritetet seksuale dhe mbysin debatin për orientimin seksual.

Në opinionin e publikuar më 14 dhjetor, ekspertët kushtetues të Komisionit të Venecias erdhën në përfundim se ndryshimet ligjore “dështuan që të ishin në përputhje me obligimet e Hungarisë, që duhet të sigurohet se sistemi arsimor u ofron fëmijëve informacione objektive mbi identitetin gjinor dhe orientimin seksual”, u tha në deklaratë.

Amendamentet ligjore kanë kontribuar në krijimin e “një mjedisi kërcënues”, në të cilin, fëmijët LGBT do të jenë subjekt i ngacmimeve, tha paneli.

Ata “lanë hapësirë që fëmijët të mësojnë gjëra të bazuara vetëm nga një perspektivë, duke hapur dyert për stigmatizim dhe diskriminim” të pjesëtarëve të komunitetit LGBT, tha paneli i ekspertëve.

Ekspertët po ashtu kritikuan Hungarinë për moskonsultim të shoqërisë civile dhe politikanëve të opozitës lidhur me ndryshimet ligjore.

Ndryshimet ligjore në Hungari vendosin kufizime lidhur me mësimet në shkolla lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me homoseksualitetin dhe transgjinorët, por po ashtu kufizojnë publikimin e përmbajtjeve LGBT në media.

Orban ka thënë se masat kanë për qëllim që të mbrojnë fëmijët dhe familjet dhe nuk kanë për cak personat në moshë madhore.

Komisioni Evropian ka nisur dy procese të ndara ligjore kundër Qeverisë hungareze lidhur me atë që i cilëson si shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT.

Kritikët thonë se partia e Orbanit, Fidesz po shtyn përpara fushatën kundër komunitetit LGBT, për të paraqitur veten si mbrojtëse të vlerave të krishtera kundër liberalizmit Perëndimor. Qeveria e Orbanit po ashtu ka politika të ashpra ndaj migranëve, të cilëve ua ndalon që të kalojnë transit nëpër Hungari.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG