Ndërlidhjet

Hetimet për 6 janarin, dëshmitë mbi presionin e Trump ndaj zyrtarëve shtetërorë


Komiteti i Kongresit Amerikan që po heton sulmin në Capitol Hill nga mbështetësit e Donald Trump.
Komiteti i Kongresit Amerikan që po heton sulmin në Capitol Hill nga mbështetësit e Donald Trump.

Komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit rifilloi të martën seancën e përqëndruar tek përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të zhbërë në nivel lokal fitoren e Joe Biden-it, duke i shtyrë zyrtarët në shtetet kyçe elektorale që të refuzonin fletëvotimet, ose të krijonin një listë alternative zgjedhësish për paraqitjen përfundimtare të tabelave zgjedhore në Kongres.

Komisioni dëgjon sot dëshmitë e punonjësve zgjedhorë dhe zyrtarëve lokalë që refuzuan presionin e ish-Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022, megjithëse iu desh të përballeshin në raste të caktuara edhe me sulme frikësuese personale.

Seanca dëgjimore për hetimin e sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kongresit të Shteteve të Bashkuara, do të shqyrtojë presionin që ish presidenti Trump bëri ndaj zyrtarëve shtetërorë për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020. Ajo fushatë e ish-presidentit kishte vënë në shënjestër burokratët që mbikëqyrnin zgjedhjet në shtetet kryesore, shumë prej të cilëve ishin republikanë.

“Presidenti Trump dhe aleatët e tij zhvilluan një fushatë presioni të bazuar në gënjeshtra, dhe këto gënjeshtra çuan në kërcënime që rrezikuan zyrtarët shtetërorë dhe lokalë dhe familjet e tyre”, tha një ndihmës i komitetit për agjencinë e lajmeve Reuters.

Liz Cheney, një nga dy republikanët në panelin e komisionit hetimor të 6 janarit, ka theksuar se çdo shtysë e Trumpit për të përmbysur votën e vitit 2020, qoftë drejtuar ndaj ish zv.presidentit Pence apo zyrtarëve shtetërorë, meriton vëmendjen e Departamentit të Drejtësisë.

“Secila nga këto përpjekje për të përmbysur zgjedhjet është serioze në mënyrë të pavarur”, tha Cheney. “Secila prej tyre meriton vëmendje nga Kongresi dhe nga Departamenti ynë i Drejtësisë. Por siç ka treguar tashmë gjykata federale, këto përpjekje ishin gjithashtu pjesë e një plani më të gjerë. Dhe e gjithë kjo u bë në përgatitje për 6 janar.”

Paneli nuk mund të ngrejë padi penale, por mund t'i bëjë rekomandime Departamentit të Drejtësisë për të paditur individët e akuzuar për keqbërje.

Komiteti shfaqi një video që paraqet dëshmi nga zyrtarë zgjedhorë, të cilët përshkruan se u është bërë presion nga ndihmësit e Trump për të refuzuar votimin e vitit 2020.

Kjo dëgjesë publike, e katërta brenda këtij muaji, vjen pas një hetimi njëvjeçar të përpjekjeve të paprecedenta të ish-Presidentit Trump për të qëndruar në pushtet, të një skeme të gjerë që kryetari i komisionit hetimor për 6 janarin e ka krahasuar me “një përpjekje për grusht shteti”.

Paneli zbuloi gjithashtu regjistrime që tregonin ish-avokatin e Trump, Rudy Giuliani, të cilin komiteti e akuzon se ka ndihmuar në udhëheqjen e përpjekjeve për të përmbysur zgjedhjet, duke kontaktuar zyrtarët shtetërorë dhe lokalë.

Trump, i cili më parë kishte akuzuar komisionin hetimor të 6 janarit si "tradhtar" dhe i quajti seancat një "gjykatë kangurësh", ka vazhduar sulmet e tij verbale ndaj panelit të kongresit.

“Të jemi të qartë, ky nuk është një hetim i Kongresit, kjo situatë e tmerrshme që po humb kohën e të gjithëve. Ky është një prodhim teatror i fiksionit politik partizan. Kjo po merr vlerësime të tmerrshme, të tmerrshme dhe ata po çmenden”, tha Trump para një auditori në Nashville, Tennessee të premten.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG