Ndërlidhjet

KE pranon se gabimisht kërkoi që shtetet e rajonit t’i vendosin viza Kosovës


Flamuj të BE-së para ndërtesës së Komisionit Evropian. Fotografi nga arkivi.
Flamuj të BE-së para ndërtesës së Komisionit Evropian. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasus, ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi u është kërkuar që t’i vendosin regjim vizash Kosovës.

Nga KE-ja thanë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe se mbështesin fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

"Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian dhe ne, absolutisht, e mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon [v.j. Ballkanin Perëndimor]", tha në një konferencë për media zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.

Pasusi i lartpërmendur është shoqëruar me arsyetimin se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me ato të BE-së.

Shtetasit e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në këto dy shtete, por jo edhe në ato të Bashkimit Evropian, që përbëjnë pjesën më të madhe të zonës me lëvizje të lirë, të njohur si Schengen.

Megjithatë, javën e kaluar, zyrtarë të BE-së kanë miratuar një vendim, sipas të cilit, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen do të hyjë në fuqi jo më larg se më 1 janar të vitit 2024.

Zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha të martën se KE-ja "mbështet tërësisht lirinë e lëvizjes në rajon" dhe "liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet".

"Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar", tha ajo për pasusin e vendosur fillimisht në raportin e KE-së.

Ky pasus shkaktoi reagime edhe në mesin e disa zyrtarëve kosovarë.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e cilësoi si "të papranueshme" kërkesën për regjimin e vizave, por më pas shtoi se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG