Qeveria kolumbiane është pajtuar për një armëpushim gjashtëmujor me pesë grupet më të mëdha të armatosura që operojnë në këtë shtet, njoftoi presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro.
Armëpushimi ishte objektivi kryesor i politikës “të paqes totale” të Petros, që synon dhënien fund të konfliktit të armatosur që vazhdon në këtë shtet edhe pasi Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) u shpërbën më 2017.
Në Kolumbi – shtet ku prodhohet më së shumti kokainë në botë – ende operojnë grupe të armatosura dhe ato janë duke zhvilluar konflikt për të ardhurat e trafikimit të drogës dhe bizneseve të tjera të paligjshme, ka thënë Instituti për Zhvillim dhe Studime të Paqes.
“Ne jemi pajtuar për një marrëveshje dypalëshe me Ushtria Çlirimtare Kombëtare ,me Morkuetalian e Dytë, me Shtabin e Përgjithshëm Qendror, AGC-në dhe Forcat Vetëmbrojtëse të Siera Nevadës. Armëpushimi do të jetë nga 1 janari deri më 30 qershor 2023, dhe mund të zgjatet varësisht nga përparimi që do të bëhet në negociata”, tha Petro.
Ai tha se do të ketë një mekanizëm kombëtar dhe ndërkombëtar verifikues për monitorimin e përparimit në marrëveshjen e ashtuquajtur “të gjakut”.
Bisedimet e paqes midis grupeve të armatosura dhe Qeverisë ishin pezulluar gjatë qeverisjes së Ivan Duque (2018-2022), por pasi Petro erdhi në pushtet vitin e kaluar, ai rinisi bisedimet në nëntor.
Deri më tani, autoritetet kolumbiane kanë negociuar me disa grupe të armatosura – të cilat në total kanë deri në 10.000 luftëtarë – por, kanë dështuar që të ndalin spiralen e dhunës që ka mbërthyer shtetin.
Sipas Institutit për Zhvillim dhe Studime të Paqes, gjatë vitit të kaluar ishin kryer pothuajse 100 masakra.
Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka nisur negociatat me Qeverinë në nëntor. Më 19 nëntor, ky grup njoftoi për një armëpushim të njëanshëm deri më 2 janar. Qeveria më pas u bëri thirrje edhe grupeve të tjera të armatosura që t’i bashkoheshin marrëveshjes së armëpushimit.
Markuetalia e Dytë dhe Shtabi i Përgjithshëm Qendror – dy fraksione të FARC-ut që u ndan më 2016 – kanë mbajtur bisedime të ndara me Qeverinë.
Ndërkaq, AGC, që është banda më e madhe e drogës në Kolumbi, përbëhen nga paramilitarë të ekstremit të djathtë, që ishin çmilitarizuar në fillim të vitit 2000, gjatë presidencës së Alvaro Uribes.
Qeveria kolumbiane u ka ofruar grupeve “trajtim të mirë, sa i përket aspektit gjyqësor” për aktorët e armatosur, “në këmbim të dorëzimit të aseteve, shkatërrimin e organizatave dhe ndihmën që të ndalohet ushtrimi i bizneseve të paligjshme”, tha për AFP-në senatori Ivan Cepeda.
Disa disidentë refuzuan që të dorëzonin armët së bashku me FARC-un gjashtë vjet më parë, kur ky grup rebelë arriti marrëveshje me Bogotanë për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë më shumë se pesë dekada.
Kolumbia ka përjetuar një konflikt të armatosur prej më shumë se 50 vjetësh midis shtetit dhe grupeve të ndryshme guerile të krahut të majtë, paramilitarëve të krahut të djathtë dhe trafikantëve të drogës.
Kur Petro erdhi në pushtet në gusht të vitit të kaluar, ai u zotua se do të negocionte me të gjitha grupet e armatosura kolumbiane, si pjesë e politikës së tij për “paqe totale”.
Aktualisht janë rreth 90 grupe politike dhe kriminale që operojnë në Kolumbi, sipas organizatave joqeveritare.