Viktimat e dhunës në familje në Kosovë, të cilat janë të strehuara në qendra të dedikuara për to, do të kenë mundësi të aftësohen dhe punësohen në fushën e rrobaqepësisë.
Trajnimi dhe punësimi i tyre do të realizohen nga Fondacioni Jahjaga.
Ky fondacion është krijuar në vitin 2018 nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ka për qëllim, siç thuhet, “fuqizimin e grave dhe të rinjve”.
Në kuadër të këtij fondacioni, ish-presidentja Jahjaga ka lansuar në tetor të vitit 2021 edhe koleksionin e parë të veshjeve, të quajtur “One in Three”, apo “Një në Tri”.
Ky emërtim u referohet statistikave botërore, sipas të cilave, ”një në tri gra përjeton dhunë”.
Linja e parë e koleksionit është punuar dhe dizajnuar nga rrobaqepëse profesionale.
Veshjet janë në shitje online, përmes kompanisë “Gjirafa”, por mund të gjenden edhe në dyqanin e fondacionit në qendër të Prishtinës.
“Aktualisht, jemi duke shitur koleksionin e dimrit ‘Hope’ - shalle, bereta dhe kapela. Konsideroj se ka shitje të mirë, për shkak të çmimeve të arsyeshme për qytetarët”, thotë Doruntina Kastrati, koordinatore e Fondacionit Jahjaga dhe udhëheqëse e projektit “One in Three”.
Sipas saj, blerja e produkteve “One in Three” ndihmon në hapjen e vendeve të punës në rrobaqepësi për viktima të dhunës në familje, nëna vetushqyese dhe gra të komuniteteve joshumicë.
Kastrati shton se Fondacioni Jahjaga është duke punuar në përzgjedhjen e disa grave - viktima të dhunës në familje - që qëndrojnë në strehimore, e që do të trajnohen dhe do të angazhohen në prodhimin e koleksioneve të ardhshme.
Për t’iu ofruar siguri grave, Kastrati thotë se dizajnerët e projektit “One in Three” do të shkojnë në strehimore për t’i trajnuar ato - gjatë së cilës periudhë edhe do të paguhen.
Punën, pastaj, do ta bëjnë ose në strehimore, ose në dyqanin e fondacionit, varësisht se ku ndihen të sigurta.
“Nëse gratë viktima të dhunës nuk kanë mundësi të kthehen në familjet e tyre [te prindërit] ose te familja e burrit, atëherë ato do të mund të punësohen në projektin ‘One in Three’, në mënyrë që të arrijnë të sigurojnë një qira dhe kushte për jetë në Prishtinë apo në komunën ku jetojnë”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Viktimat e dhunës në familje në Kosovë mund të qëndrojnë deri në gjashtë muaj në strehimore.
Pas kësaj periudhe, ato përpiqen të gjejnë zgjidhje të tjera, ndërsa disa rikthehen edhe te familjet.
Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës, e cila i ka nën kompetencë strehimoret, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se çfarë parasheh për viktimat pas qëndrimit gjashtëmujor në strehimore.
Në komuna të ndryshme të Kosovës janë dhjetë strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe për fëmijët e keqtrajtuar, abuzuar dhe të lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.
Bazuar në të dhënat e qendrave për punë sociale dhe të strehimoreve në Kosovë, gjatë periudhës janar-shtator 2020, nga shërbimet e strehimit kanë përfituar 319 viktima të dhunës në familje - prej tyre: 184 gra dhe 135 fëmijë.
“Puna e parë me pagë mujore”
Në mesin e grave të përfshira në projektin “One in Three”, tash e gjashtë muaj, është edhe Belkiza Cucul, nënë e dy fëmijëve, e cila vjen nga komuniteti goran.
Kjo 50-vjeçare thotë se është marrë me punë dore edhe më herët, por punën e parë me pagesë të rregullt e ka filluar në Fondacionin Jahjaga.
Pas prerjes dhe qepjes së veshjeve nga rrobaqepëset, Belkiza i qëndis dhe i zbukuron ato me rruaza të ngjyrave të ndryshme.
“Kam një pagë të rregullt. Unë kam bërë punë dore edhe në shtëpi [për familjen dhe rrethin], por nuk jam paguar rregullisht. Tash, çdo muaj, marr pagën dhe ndihmoj familjen dhe fëmijët e mi”, rrëfen Belkiza për Radion Evropa e Lirë.
Në punëtorinë e Fondacionit Jahjaga punon edhe Leonora Lahi, 23 vjeçe, nga komuniteti ashkali.
Kjo është puna e parë e saj me pagë mujore.
“Unë bëj qepjen e veshjeve të koleksioneve. Jam shumë e lumtur me këtë punë. Kam kontratë për gjashtë muaj. Pas kësaj periudhe, nëse gjejmë mirëkuptim, e vazhdojmë kontratën; nëse jo, e ndërpresim. Ambienti këtu është shumë miqësor, nuk ka paragjykime se cilit komunitet i përket. Të gjitha së bashku punojmë për të siguruar vende pune edhe për gratë tjera që kanë nevojë”, thotë Leonora.
Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje. Sipas të dhënave të policisë, vitin e kaluar, si viktima të dhunës në familje janë raportuar 1,986 gra dhe 500 burra.
Facebook Forum