Ndërlidhjet

WP: Koha për ta ndaluar Putinin


 Vladimir Putin
Vladimir Putin
Kur Vladimir Putini ka aneksuar formalisht Krimenë këtë javë, ai ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e shumë autoriteteve, politikanëve dhe të ashtuquajturve ekspertë, shkruan gazeta Washington Post.

Atij nuk i kanë lënë përshtypje arsyetimet e tyre të shëndosha dhe ligjëratat elegante se si pushtimi dhe aneksimi kërcënojnë inetersat e Rusisë.

Washington Post shkruan se duhet ndaluar së dëgjuari leksionet e profesorëve se çfarë Putini nuk do të bënte kurrë dhe është koha për përgjigje ndaj asaj që bën, para se ta bëjë përsëri.

Por, pengesë për të ndaluar Putinin është edhe paraliza e vetimponuar e udhëheqësve të Evropës dhe G7-ës. Është më lehtë për ta të thonë se nuk ka asgjë që mund të bëjnë për të frenuar ambiciet e Putinit sesa të pranojnë se nuk kanë guxim për të vepruar.

Ka shumë leva në dispozicion për të ushtruar presion mbi Putinin, por ato kërkojnë përballje me disa të vërteta të vështira. Dhe, sipas gazetës, ky është një brez i udhëheqësve politikë që është mësuar t’iu thotë qytetarëve se është e mundur edhe të shkurtohen taksat, edhe të shpenzohet më shumë, për të qenë të lirë dhe të sigurt, për të qenë fuqi e madhe pa përdorur forcën.

E vërteta e parë e vështirë është se vetëm sanksionet ose masat e tjera që do të ndikojnë në sjelljen e Putunit janë ato që, në mënyrë direkte ose jodirekte, do të sulmojnë pushtetin e tij.

Vetëm për këtë brengoset Putini, sepse ai e di se çfarë ndodh kur njerëzit si ai humbasin këtë kontroll. Kjo, sipas gazetës Washington Post, është edhe arsyeja përse një koment i Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, ka qenë i gabuar:

“Ne shpresojmë se presidenti Putin e di se asnjëra prej këtyre që themi nuk është e menduar si kërcënim. Nuk është personale”, ka thënë Kerry.

Washington Post shkruan se Kerry ka larguar nga treyza të vetmën gjë për të cilën brengoset Putini.

Obama ka përsëritur këtë gabim të mërkurën, kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa për të mbrojtur Ukrainën. Askush nuk ka kërkuar trupa dhe Obama ndoshta mendon se ai është duke qetësuar tensionet.

Por, aty ku ai bën gjest paqësor, Putini sheh dobësi. Për Iranin, për Sirinë dhe tani për Ukrainën, Obama ka transferuar politikën e tij të jashtme te Putini dhe duke bërë kështu, ka paralizuar fuqinë e zyrës së tij, në mënyrë që të vazhdojë më gjatë qëndrimin në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Washington Post.

E vërteta e dytë e vështirë është se nuk mund të bëhet kompromis me Putinin. Ai nuk ndjen obligim për të operuar sipas ligjit. Putini është një kauzë e humbur dhe Rusia do të jetë e tillë derisa ai të zhduket. Perëndimi e ka mohuar këtë për kohë të gjatë, shkruan gazeta.

Sipas saj, Putini nuk do të tërhiqet derisa kërcënimet e besueshme për pushtetin e tij të krijojnë një ndarje midis elitave të tij dhe këshilltarëve. Tani për tani, ata nuk kanë ndonjë stimul për të vënë bast kundër tij.

Putini i mbron ata dhe asetet e tyre derisa bota e lirë, në të cilën jetojnë, nuk ka bërë asnjë hap për t’i detyruar ata që të zgjedhin midis pasurisë së tyre dhe Putinit. Ndryshimi i kësaj është e vetmja mënyrë për të mbrojtur Ukrainën.

Udhëheqësit perëndimorë do të bënin mirë sikur të ndiqnin paratë: të sanksionojnë elitat që mbështesin Putinin, të ndjekin familjarët që ata përdorin për të fshehur asetet e tyre jashtë shtetit dhe të vëzhgojnë kompanitë e tyre.

Nëse ligjet ekzistuese janë të pamjaftueshme për t’u marrë me banditët miliarderë, që mundësojnë një regjim të rrezikshëm, le të shkruhen të reja. Të gjitha këto le të bëhen më shpejt sepse çmimi për ta larguar Putinin rritet për çdo vonesë.

Ky çmim mund të mos paguhet vetëm me para të gatshme, por edhe me jetë njerëzish, shkruan Washington Post.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG