Ndërlidhjet

Operatorët e telefonisë preferojnë shtyrjen e zbatimit të kodit +383 


ilustrim
ilustrim

Relacionet e operatorëve të telefonisë mobile në Kosovë, Vala dhe IPKO me operatorët ndërkombëtarë, po shihen si sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383.

Për këto sfida të dy operatorët kanë njoftuar me shkresë zyrtarët në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Sipas ARKEP-it, afati i fundit për hyrjen në funksion në tërësi të kodit shtetëror +383, është 31 tetori i këtij viti.

Kodi shtetëror i është ndarë Kosovës në dhjetor të vitit 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Ky kod, ishte produkt i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të bisedimeve të Brukselit. Ai ishte paraparë që të nisë së zbatuari më 30 qershor të këtij viti, por ky afat ishte shtyrë për 31 tetor, pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe IPKO.

Arsim Bilalli zëdhënës në Telekomin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë përpjekjet për një zgjidhje adekuate, zbatimi i kodit nuk varet vetëm nga vullneti dhe resurset teknike të Telekomit, por, këtu janë të përfshira edhe relacionet me partnerët e jashtëm.

“Prandaj, duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë e situatës dhe synimet tona në realizimin e implementimit, ku në këtë projekt janë të involvuara edhe investimet efektive në infrastrukturën e Telekomi të Kosovës, tani për tani mbetet i hapur implementimi i plotë i kodit, ku për çfarëdo rezultati përfundimtar, qoftë edhe të improvizuar, do ta njoftojmë Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës.

Edhe zyrtarë të telefonisë mobile, IPKO, të cilët shfrytëzojnë kodin e Sllovenisë (+386), thonë se kjo kompani ka filluar zbatimin e kodit +383 në prill të këtij viti në të dyja rrjetet, fiks dhe atë mobil.

“Prej asaj kohe konsumatorët e IPKO-s, në rastet e thirrjeve ndërkombëtare dalëse, paraqiten vetëm me kodin e ri shtetëror +383”, thotë Edona Zogu, përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun në këtë kompani.

Mbyllja e kodit të vjetër, mund të ndodhë lehtë më 1 nëntor, por çështja e vetme vazhdon të mbetet me operatorët e vendeve të ndryshme të botës, të cilët ende nuk e kanë hapur rangun për kodin e Kosovës dhe si rrjedhojë, klientët e tyre nuk mund të realizojnë thirrje drejt kodit +383. Në mënyrë që konsumatorët tanë të jenë të qasshëm nga të gjithë, ne kemi kërkuar nga ARKEP-i që të shtyjë afatin e mbylljes së kodit të vjetër, derisa këta operatorë ndërkombëtarë të hapin rangun për kodin e ri shtetëror të Kosovës”, tha Zogu.

*Video nga arkivi: Thirrja e parë me kodin e ri telefonik. 2 shkurt, 2017.

Kosova realizon thirrjen e parë me kodin +383
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:41 0:00

Por, Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare është kompetencë e operatorëve të telefonisë mobile.

“Çështja e hapjes se rangjeve të operatorëve në mbarë botën është çështje e bashkëpunimit reciprok të operatorëve tanë me operatorët në botë. Prandaj, ata kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i hapur ato rangje deri më tani, pasi ky proces ka qenë i paraparë të përfundojë brenda një afati 18 mujor”, tha Gashi.

“Shteti i Kosovës ka përfunduar obligimin ndaj operatorëve në momentin e publikimit të kodit shtetëror +383 në buletinin e ITU –së”, theksoi ai.

Gashi tregon se të dy operatorët e telefonisë fikse dhe mobile kanë dërguar shkresa në ARKEP, ku kanë paraqitur sfidat më të cilat po përballen gjatë këtij procesi.

Por, ai thotë se pasi të trajtohen shkresat do të merret ndonjë vendim për apo jo të vazhdimit të afatit.

“Ne jemi në një fazë të konsultimevemë te dy operaorët. Pasi t'i marrim të gjitha informacionet, ne do të vendosim. Ne konsiderojmë se data 31 tetor ka qenë afat optimal që operatorët të përfundojnë obligimet e tyre dhe të zbatohet kodi në të gjithë operatorët”, thotë Gashi.

Telefonia mobile Vala shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Të dhënat e zyrtare tregojnë se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 220 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG