Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, e konsiderojnë si shkelje të të drejtave të njeriut publikimin e emrave konkretë në inicimin e aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.
Këto komente ata i kanë bërë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila ngarkon presidentin Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe persona “të tjerë” me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, (KMLDNJ) Behxhet Shala, tha për Radion Evropa e Lirë, se Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka bërë shkelje flagrante të të drejtave të personave të dyshuar.
“Pa u ngritur aktakuza në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë që të bëjë publikë emrat. E kemi parë në komunikatë se edhe emrat e publikuar janë bërë në mënyrë selektive. I përmend vetëm emrat e zotit Thaçi dhe zotit Veselit, ndërkaq janë edhe disa të tjerë që nuk iu kanë përmendur emrat” thotë Shala.
“Me inicimin e kësaj aktakuze dhe publikimin e emrave, ka dashur të arrijë një qëllim të caktuar. Dhe për këtë arsye si KMLDNJ, reagojmë dhe kundërshtojmë bërjen publike të emrave pa u vërtetuar aktakuza, duke e konsideruar një shkelje të rëndë të të drejtave të personave, të cilët hetohen apo akuzohen” tha Shala.
Se Dhomat e Specializuara do ngrisin aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka qenë e pritur, pasi emri i tij është përmendur edhe në raportin e Këshillit të Evropës, thotë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Por ai e quan të çuditshme sesi pa u konfirmuar aktakuza, dolën informacione për përmbajtjen.
- Aktakuzat për krime në Kosovë para Gjykatës Speciale në Hagë
- Thaçi nuk tërheq kritikat ndaj Gjykatës Speciale
Blakaj thotë se në disa lajme publike të mëhershme nga Dhomat e Specializuara, është cekur se informacionet nga aktakuzat janë konfidenciale deri në momentin kur konfirmohen ato.
“Ky rast nuk ishte dje” shtoi Blakaj.
“Nuk kemi parë, thotë ai, nga Tribunali i Hagës raste të tilla ku pa u konfirmuar aktakuza kanë dalë informacione se çfarë përmban ajo aktakuzë.
“Pra, ishte pak e çuditshme edhe gjuha e komunikatës së djeshme, ishte jo shumë e pritur dhe pak e habitshme. Mirëpo, fakt është se Prokuroria, ka bërë hetime dhe e ka përgatitur aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit”, tha Blakaj.
Blakaj thotë se Prokuroria i ka qëndrimet e veta dhe se zyrtarët e saj e kanë një arsye pse kanë dalë me emra konkretë. Megjithatë, ai beson se procesi gjyqësor do të jetë i drejtë dhe nuk ka mundësi që dikush eventualisht të dënohet pa prova të mjaftueshme.
“Nuk kam dyshime që mund të fabrikohet diçka në procesin gjyqësor. Procesi gjyqësor jam i sigurt se do të jetë fer, por komenti im për komunikatën e së mërkurës, ishte i papritshëm dhe jo shumë i zakonshëm” thotë Blakaj.
Në ndërkohë, Organizata për të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW) ka thënë se aktakuza e bërë publike kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është një hap pozitiv për drejtësinë, pasi këto krime të supozuara kanë rënduar mbi Kosovën për dy dekada.
Presidenti Thaçi ende nuk është deklaruar lidhur me aktakuzën e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.