Rreth 18 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për tre muajt e parë të këtij viti. Ky numër është më i lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kur stafi mjekësor i Klinikës Emergjente u kishte ofruar shërbimet e nevojshme mjekësore, rreth 11 mijë personave.
Një numër kaq i madh i pacientëve, vlerësohet se vjen edhe si pasojë e trajtimit jo vetëm të rasteve emergjente, por edhe atyre që nuk ndërlidhen me këtë klinikë.
Kështu tha Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, sipas të cilit, kohët e fundit janë bërë investime në këtë klinikë, për të rritur edhe kapacitetin si dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
Ai thekson faktin se sistemi i referimit në Kosovë nuk është në nivelin e duhur, andaj edhe ka rritje të numrit të pacientëve.
“Numri i trajtimit të rasteve emergjente në QKUK është rritur pas investimeve në Klinikën Emergjente nga Ministria e Shëndetësisë për ofrim të shërbimeve më cilësore pacientëve dhe kushte më të mira pune stafit mjekësor. Por, nëse vazhdon ky trend, deri në fund të vitit do ti kemi 100 mijë të sëmurë, që do të kërkojnë ndihmë vetëm në Qendrën Emergjente”, tha ai.
“Jemi duke punuar që të pranojmë vetëm rastet emergjente, pasi kjo klinike ka 507 metra katror, me 18 shtretër e që janë të pa mjaftueshëm. Po presim nga java e ardhshme të shtojmë edhe 4 shtretër. Megjithëkëtë duhet të funksionalizohet edhe sistemi i referimit shëndetësorë dhe kjo nënkupton që vetëm rastet emergjente të referohen në Klinikën Emergjente, e jo edhe rastet jo emergjente e që prej vitesh ne i trajtojmë”, tha Lenjani.
Kanë qenë rreth 500 mijë euro që janë investuar në Klinikën Emergjente vitin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë. Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailithotë se përveç kësaj edhe objekti i ri i Emergjencës është në ndërtim e sipër.
Sipas tij, janë siguruar edhe aparatura të reja për pacientët që kërkojnë ndihmë emergjente, çka vlerësohet se ka ndikuar që ky institucion të rrisë cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
“Një nga investimet e para vitin e kaluar të ministrit aktual ka qenë investimi në Klinikën Emergjente. Kjo ka mundësuar që në periudhën pas renovimit të rritet kapaciteti i trajtimit të pacientëve. Në tre muajt e parë kemi rreth 18 mijë qytetarë, për dallim prej vitit të kaluar, pra këtë vit për periudhën e njëjtë është rritur numri i shërbimeve për 6 mijë raste”, tha Matoshi.
“Gjithashtu, ndërtesa e re e emergjencës është duke u ndërtuar dhe me funksionalizimin e saj qytetarët nuk do të kenë më nevojë të kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë institucioneve publike shëndetësore”, tha Matoshi.
Projekti për ndërtimin e ndërtesës së re të Klinikës Emergjente është hartuar qysh në vitin 2007, por ajo ende nuk është funksionalizuar.
Basri Lenjani, thotë se me funksionalizimin e këtij objekti që do të ofrojë shërbime emergjente, situata pritet të ndryshojë për të mirë.
Një problem tjetër që e përcjell Klinikën Emergjente është edhe mungesa e stafit shëndetësor, posaçërisht infermierëve, ku së fundmi Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka shpallur konkurs për të pranuar 100 infermierë për gjitha klinikat, e që sado pak do ta zbusin mungesën e stafit të mesëm.
Për ikjen e infermierëve pati reaguar edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë sipas të cilëve ka indikacione që mijëra infermierë nga Kosova, për pesë vjetët e ardhshme mund ta lëshojnë vendin, pasi që tashmë kanë lidhur kontrata me shtetin gjerman për të punuar atje në këtë profesion.