Ndërlidhjet

Kisha Maqedonase kundër ligjeve për ndryshimin e gjinisë


Në kryeqendrën Maqedonisë së Veriut, Shkup, të shtunën është mbajtur Parada e katërt e Krenarisë.
Në kryeqendrën Maqedonisë së Veriut, Shkup, të shtunën është mbajtur Parada e katërt e Krenarisë.

Kisha Ortodokse Maqedonase e ka kundërshtuar synimin e Qeverisë për ndryshimin e ligjeve për barazi gjinore dhe të librit të gjendjes civile, pasi sipas Kishës, përmbajtjet e tyre janë në kundërshtim me “vlerat familjare” dhe përkufizimin e gjinisë biologjike.

Kisha, ka thënë të martën se për të penguar miratimin e ndryshimeve, të enjten do të organizojë një protestë “gjithëpopullore” në Shkup, ndërsa do të përdorë edhe forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë kundër qëllimit të Qeverisë.

Kisha Ortodokse Maqedonase kundërshton në veçanti pikën 3 të nenit 4 të draft-ligjit për barazi gjinore, i cili ende nuk është dorëzuar për miratim në Qeveri e në të cilin thuhet:

Neni 4, pika 3: "Identiteti gjinor" i referohet ndjenjës së brendshme dhe individuale që secili person ndjen thellë në veten e tij të shpreh ndryshe gjininë e tij duke përfshirë emrin, veshjen, fjalimin, sjelljet dhe gjininë.

Drejtuesit e Kishës thanë se “ndryshimet mund të plotësojnë kërkesat e një grupi të caktuar, por në anën tjetër shkelin të drejtat e 99 për qind të qytetarëve”.

“Do të protestojmë kundër kontekstit të ri që i jepet konceptit të gjinisë dhe keqpërdorimit të saj në projektligjin e librit të gjendjes civile që parashikon ndryshimin e emërtimit gjinor. Me sa duket askush nuk dëshiron të dëgjojë popullin dhe ne, përveç protestës, nuk kemi rrugë tjetër për të rezistuar. Prandaj, bëjmë thirrje që ta ruajmë traditën. Nuk ka rrugë tjetër veçse të mblidhemi dhe t'u themi një JO të madhe këtyre ligjeve shkatërruese për shoqërinë tonë”, ka deklaruar peshkopi Jakov Stobiski.

Çfarë parasheh draft-ligji për gjendjen civile?

Në draft-ligjin për librat e gjendjes civile që është dorëzuar në Kuvend nga një grup deputetësh, parashikohet që personat të mund ta ndryshojnë gjininë varësisht ndjesive të tyre.

“Njohja ligjore e gjinisë është proces me të cilin një individ mund të ndryshojë përcaktimin gjinor në të dhënat e lindjes dhe në këtë mënyrë të bëjë që shteti të njohë gjininë e tij të vërtetë. E drejta e personave trans për të marrë dokumente që pasqyrojnë identitetin e tyre gjinor është thelbësore që ata të jenë në gjendje të funksionojnë siç duhet në shoqëri dhe të mbrohen nga një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut, duke përfshirë diskriminimin në punësim, arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale si dhe mbrojtje kundër sulmeve fizike dhe verbale”, thuhet në draft-ligjin që është dorëzuar në Kuvend, më 13 qershor.

Nga Kisha Ortodokse Maqedonase kanë thënë se ky formulim është “skandaloz” pasi lejon që një person të ndryshojë gjininë vetëm me një deklaratë të nënshkruar.

“Kërkojmë tërheqjen nga procedura të dy draft-ligjeve, njëri prej të cilëve tashmë ndodhet në procedurë parlamentare. Draft-ligji ju lejon të ndryshoni gjininë në librat e gjendjes civile vetëm në bazë të një deklarate se ndiheni ndryshe nga gjinia juaj biologjike. Kjo është skandaloze”, ka deklaruar peshkopi Jakov Stobiski.

Qeveria tërhiqet, paralajmëron debat të gjerë

Pas reagimit të Kishës Ortodokse Maqedonase, partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate, ka vendosur ta tërheqë nga procedura ligjin për evidencën amë, por jo edhe nga synimi për miratimin e tij.

“Ligji për barazinë gjinore ende nuk ka kaluar procedurën qeveritare, ndërsa tjetri është tërhequr nga procedura e Kuvendit. Mendojmë se duhet të ketë një debat të gjerë me përfshirjen e të gjitha palëve dhe në fund të arrijmë qëllimet si shoqëri. Vetëm pasi të mbyllet debati gjithëpërfshirës, atëherë propozimet do të dërgohen për miratim në Kuvend”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Nga Qeveria kanë thënë se ndryshimet në këto ligje synohen të miratohen me qëllim harmonizimin e legjislaturës vendase me atë të Bashkimit Evropian.

Akuza për diskriminim të komunitetit LGBTI

Ndërkohë, këto draft-ligje kanë shkaktuar debate të shumta në opinion.
Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi vuri në dukje se gjatë paraqitjeve publike, peshkopi Jakov Stobiski ka shprehur “mendime, qëndrime dhe ide që janë poshtëruese, fyese dhe degraduese për personat transgjinorë dhe që nxisin diskriminimin ndaj komunitetit LGBTI”.

“Përmes etiketimit të transgjinorëve si njerëz që ‘vuajnë nga një çrregullim mendor’ dhe barazimit të tyre me pedofilinë, satanizmin etj, ai nxiti diskriminim të mëtejshëm ndaj këtyre personave dhe përkrahësve të tyre, duke shkaktuar dhe nxitur një ortek reagimesh në rrjetet sociale që përmbajnë fjalë shqetësuese ndaj personave LGBTI”, thuhet në reagimin e Komisionit.

Kisha hedh poshtë akuzat: Jemi më tolerantët në rajon

Por, Peshkopi Jakov e ka hedhur poshtë reagimin duke theksuar se Kisha Ortodokse asnjëherë nuk ka shprehur ofendime.

“A keni vërejtur ndonjë protestë kundër atyre njerëzve, ndonjë pengesë apo gjuhë të urrejtjes, absolutisht se jo. Ata mbajtën paradën me sukses dhe asnjë problem nuk pamë. Kisha jonë është tolerante dhe është shembull edhe për vendet tjera”, ka thënë peshkopi Jakov.

Reagime për dhe kundër ndryshimeve në ligjet për barazi gjinore dhe të librit të gjendjes civile ka pasur edhe nga partitë tjera politike dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG