Ndërlidhjet

Kina izolon mbi 600.000 njerëz rreth fabrikës që prodhon iPhone


Dy punëtorë shëndetësorë në një rrugë të zbrazët në Kinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Dy punëtorë shëndetësorë në një rrugë të zbrazët në Kinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kina ka izoluar një zonë me 600.000 banorë në qytetin Zhengzhou - ku gjendet fabrika më e madhe në botë për prodhimin e telefonave iPhone, të kompanisë amerikane, Apple – për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Të gjithë njerëzit, përveç punëtorëve të domosdoshëm dhe vullnetarëve për parandalim të koronavirusit, “nuk duhet të largohen nga shtëpitë e tyre”, kanë thënë autoritetet në Zhengzhou.

Ky vendim vjen pas disa pamjeve që kanë dalë në rrjetet sociale kineze javën e kaluar, në të cilat janë parë njerëzit duke u larguar nga fabrika që drejtohet prej gjigantit tajvanez, Foxconn dhe prodhon produkte për Apple.

Disa punëtorë janë ankuar për kushte të rënda, mungesë furnizimesh dhe se u është dashur të ikin nga fabrika në këmbë, për të shmangur kufizimet që ekzistojnë në transport publik.

Foxconn punëson qindra mijëra punëtorë në Zhengzhou.

Kina është ndër vendet e fundit në botë që zbaton strategjinë e zero rasteve me koronavirus.

Autoritetet kineze vazhdojnë të vendosin masa izolimi dhe të kryejnë testime masive, me qëllim të shmangies së shpërthimeve masive të virusit.

Mirëpo variantet e reja kanë testuar aftësitë e zyrtarëve lokalë për të parandaluar koronavirusin para se të përhapet, prandaj një pjesë e mirë e popullsisë në Kinë është duke jetuar vazhdimisht nën kufizime.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG