Ndërlidhjet

Kina dhe Rusia shpërfaqin raportet përmes stërvitjeve ushtarake


Tanket kineze gjatë stërvitjeve ushtarake në Chita në lindje të Siberisë. 13 shtator, 2018.
Tanket kineze gjatë stërvitjeve ushtarake në Chita në lindje të Siberisë. 13 shtator, 2018.

Në shfaqjen e fundit të thellimit të raporteve ndërmjet Pekinit dhe Moskës, trupat kineze dhe ruse më 9 gusht nisën ushtrimet pesëditore ushtarake në veriperëndim të Kinës.

Mbi 10.000 trupa nga ushtritë e Kinës dhe Rusisë po marrin pjesë në ushtrimet Zapad 2021 në Rajonin Autonom të Ningxia Hui, ku do të përfshihen edhe një numër i madh i avionëve, sistemeve të armëve dhe makina ushtarake.

Këto stërvitje ushtarake mbahen në kohën kur situata e sigurisë në Euroazi po vazhdon të ndryshojë, me tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Tërheqja e trupave ka çuar në intensifikimin e luftimeve ndërmjet militantëve talibanë dhe forcave qeveritare afgane, që kanë tronditur sigurinë e rajonit.

Trajnimet e këtij viti shënojnë ushtrimet e katërta radhazi ndërmjet Pekinit dhe Moskës dhe këto stërvitje janë të parat që mbahen në Kinë. Manovrat do të fokusohen në stabilitetin e Azisë Qendrore, teksa të dyja shtetet dëshirojnë të rrisin bashkëpunimin ndërmjet ushtrive të tyre.

“Kjo stërvitje është një përparim i natyrshëm i raporteve më të forta ushtrake ndërmjet dy shteteve, por situata në Afganistan shton një element më të rëndësishëm”, tha për Radion Evropa e Lirë, Zhang Xin, profesor në Qendrën për Studime Ruse në Universitetin e Shangait.

“Të dy palët janë të shqetësuara për përhapjen (e konfliktit) në Azinë Qendrore dhe për sfidat në sigurinë e rajonit që mund të shfaqen”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Wu Qian tha më 5 gusht se qëllimi është “konsolidimi i bashkëpunimit" dhe “mbajtja e paqes dhe sigurisë rajonale”, duke u fokusuar në kundërterrorizëm dhe themelimin e një qendre komanduese të përbashkët për bashkëpunim më të mirë në zbulimin e përbashkët, paralajmërimet e hershme, sulmet e përbashkëta dhe sulmet elektronike dhe të informacionit.

Të udhëhequr së bashku nga antagonizmi që kanë kundrejt Shteteve të Bashkuara si dhe disa shqetësimeve të njëjta strategjike për Azinë Qendrore dhe Jugore, raportet ndërmjet Kinës dhe Rusisë janë thelluar viteve të fundit.

Si Pekini ashtu edhe Moska kanë shfaqur vullnet për të trajtuar së bashku çështjet ndërkombëtare dhe ushtrimet e tanishme ushtarake, që fokusohen në sigurinë në Azinë Qendrore dhe Afganistan, janë shembulli i fundit i kësaj dinamike në zhvillim.

Por, sipas Zhang, teksa raportet ushtarake vazhdojnë të zgjerohen dhe shtetet gjejnë mënyra të reja për të punuar së bashku, Kina dhe Rusia nuk janë duke shkuar drejt “një aleance ushtarake në kuptimin tradicional”.

“Ky lloj ushtrimesh shfaq një lëvizje drejt një bashkëpunimi fleksibil ndërmjet dy ushtrive, pa pasur nevojë që të hyjnë në një aleancë të shkallës së gjerë”, tha Zhang.

Raportet në zhvillim midis Pekinit dhe Moskës

Derisa situata e përkeqësuar e sigurisë në Afganistan po vazhdon të marrë vëmendjen e liderëve politikë dhe ushtarakë në Kinë dhe Rusi si dhe po paraqet mundësi për bashkëpunim, raportet ndërmjet dy shteteve po zgjerohen në disa sektorë.

Bashkëpunimi Rusi-Kinë u rrit më 2014, pasi Kremlini aneksoi Krimenë dhe Rusia u vendos në qendër të sanksioneve të Perëndimit.

Që atëherë, Pekini dhe Moska kanë thelluar marrëdhëniet, përfshirë bashkëpunimin në fushën e tregtisë, të teknologjisë si dhe kanë rritur mbështetjen politike për njëri-tjetrin, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.

Në qershor, të dyja palët ripërtërin Traktatin për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim miqësor, teksa festuan 20-vjetorin e këtij traktati.

Raportet ushtarake po ashtu kanë qenë një pikë kryesore.

Forcat kineze dhe ruse vazhdimisht kanë zhvilluar ushtrime së bashku në njëfarë forme – qoftë nën organizim bilateral apo multilateral – që prej vitit 2005 dhe këto ushtrime janë zgjeruar, duke përfshirë po ashtu ushtrime të përbashkëta detare.

Tanket kineze gjatë stërvitjeve ushtarake më 2016 të organizuara nga Organizata për Bashkëpunim e Shangait.
Tanket kineze gjatë stërvitjeve ushtarake më 2016 të organizuara nga Organizata për Bashkëpunim e Shangait.

Duke filluar nga viti 2018, Pekini dhe Kina i kanë zgjeruar ushtrimet në shkallë të gjerë, ku u përfshin trajnimet e komandantëve kryesorë për të punuar së bashku dhe po atë vit në Rusi u mbajtën ushtrimet e nivelit të lartë.

Por, pavarësisht raporteve të ngushta ushtarake dhe politike, analistët thonë se ka kufizime sa i përket llojit të partneritetit që Kina dhe Rusia po kërkojnë që të kenë.

Alexander Gabuev, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Carnegie në Moskë, i tha Radios Evropa e Lirë se asnjëra palë nuk dëshiron që të formojë një aleancë, ku do të detyroheshin “të futeshin në një luftë ku asnjëra palë s’ka guxim”, duke treguar pabarazitë te pozicionet e Kinës karshi Ukrainës dhe të Rusisë karshi Tajvanit.

“Ata tentojnë që të qëndrojnë larg luftërave të njëri-tjetrit dhe në vend të kësaj gjejnë zona ku kanë interes të përbashkët”, tha Gabuev.

“Kina dhe Rusia janë shumë pragmatike dhe që të dyja kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara, por të dyja e shohin veten si fuqi të mëdha dhe janë shumë të dhëna pas autonomisë së tyre strategjike”, shtoi ai.

Konsensusi i ri

Pas këtyre ushtrimeve, ushtria ruse dhe Ushtria për Çlirimin e Popullit të Kinës gjithashtu do të mbajnë trajnime në shtator, në stërvitjet që do të organizohen nën ombrellën e Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), një bllok për siguri i Euroazisë që drejtohet nga Pekini dhe Moska.

Sikurse manovrat që janë duke u mbajtur në Kinë edhe ushtrimet e SCO do të kenë në fokus po ashtu kundërterrorizmin.

SCO – që përveç Kinës dhe Rusisë përbëhet edhe nga India, Kazakistani, Kirgizia, Pakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani – është bërë një vegël e Pekinit për të rritur raportet e sigurisë në mbarë Euroazinë, të cilat pritet të rriten edhe më shumë pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.

Rusia tradicionalisht i ka parë shtetet e Azisë Qendrore Kazakistanin, Kirgizinë, Taxhikistanin, Turkemnistanin dhe Uzbekistanin si pjesë e sferës së saj të ndikimit, por ngritja e Kinës si forcë dominuese ekonomike ka ndryshuar dinamikën në rajon.

Në vitet e fundit, Kina dhe Rusia kanë kërkuar që të balancojnë interesat e tyre në Azinë Qendrore ndërmjet “muskujve të ushtrisë ruse dhe kuletës së Kinës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Anton Barbashin, drejtor i gazetës online Riddle Russia.

Por, ai tha se ky “konsensus nuk është më i qëndrueshëm siç ishte një dekadë më herët” dhe duke ecur përpara, situata në zhvillim në Afganistan dhe efektet në të ardhmen në Azinë Qendrore do të luajnë një rol të madh në formësimin e bashkëpunimit të ardhshëm të sigurisë në rajon ndërmjet Kinës dhe Rusisë.

“Mund të shohim fillimin e një bashkëpunimi më të gjerë të sigurisë mbi Afganistanin ndërmjet Kinës, Rusisë dhe shteteve të Azisë Qendrore”, tha Barbashin.

“Se si do të përparojë kjo do të tregojë nëse SCO është një organizatë e vërtetë, që është në gjendje të parandalojë apo jo rreziqet e pashmangshme që vijnë nga Afganistani”, shtoi ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG