Teksa Kongresi Botëror i Ujgurëve mblidhet në Bosnjë e Hercegovinë për takimin e tij që mbahet çdo tre vjet, udhëheqësit e organizatës po përballen me presione të reja dhe ngacmime, që synojnë mosmbajtjen e kësaj ngjarjeje.
“Që kur kemi njoftuar në qershor që Asambleja jonë e Përgjithshme do të mbahej në Sarajevë, ne jemi përballur me shumë kërcënime, përfshirë edhe fushata të shpifjeve kundër anëtarëve tanë dhe kandidatëve që garojnë për poste të larta”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Zumretay Arkin, drejtoreshë e evokimit global në Kongresin Botërorë të Ujgurëve.
Para Asamblesë së Përgjithshme të Kongresit Botëror të Ujgurëve që mbahet nga 24 deri më 27 tetor – organizatë ndërkombëtare e grupeve të diasporës nga më shumë se 25 shtete nga Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Evropa dhe Amerika e Veriut – Arkin tha se organizata është përballur me sulme kibernetike, kërcënime fizike ndaj anëtarëve dhe familjarëve të tyre dhe madje edhe me përpjekje për të parandaluar mbajtjen e tubimit në Sarajevë.
Arkin tha se emaili i një pjesëtari të stafit të Kongresit Botëror të Ujgurëve u hakua më 21 tetor dhe hakerët e paidentifikuar dërguan njoftim te të gjithë pjesëmarrësit e regjistruar – përfshirë ligjvënës të huaj dhe delegatë që garojnë për t’u zgjedhur në udhëheqjen e organizatës – duke gënjyer se ngjarja ishte shtyrë. Kongresi Botëror i Ujgurëve publikoi kopje të këtyre emaileve në llogaritë në rrjetet sociale, duke i njoftuar pjesëmarrësit se informacioni në këto emaile ishte i rremë.
“Ata madje përdorën nënshkrimin e ish-presidentit tonë për të falsifikuar dokumentin”, tha Arkin. “Po ashtu, ne kemi pranuar emaile masive spam nga bot-et apo nga llogaritë kineze”.
Kongresi Botëror i Ujgurëve, me seli në Gjermani, përbëhet kryesisht nga ujgurë që jetojnë në mërgim, dhe avokon për të drejtat e atyre që janë në Kinë.
Grupi dhe organizata të tjera që avokojnë për ujgurët dhe minoritetet myslimane në Kinë, sikurse kazakët dhe kirgizët etnikë, për një kohë të gjatë përballen me kërcënime dhe ngacmime, teksa ata mundohen të rrisin vetëdijen lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në rajonin veriperëndimor kinez të Ksinjiangut.
Disa grupe për të drejtat e njeriut dhe parlamentet perëndimore e akuzojnë Kinën për gjenocid në këtë rajon, ndërkaq Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut tha se një hulumtim i vitit 2022 gjeti dëshmi për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut” në Ksinjiang.
Autoritetet kineze po ashtu janë akuzuar për imponimin e punës së detyrueshme, internimeve masive, kontrollin e detyruar të natalitetit, fshirjen e identitetit kulturor dhe fetar të ujgurëve dhe ndarjen e fëmijëve nga prindërit e burgosur.
Pekini ka mohuar këto gjetje.
*Video nga arkivi: "Kampe përqendrimi" për ujgurët në Kinë
Arkin tha se Ambasada kineze në Sarajevë po ashtu ka ushtuar presion mbi këtë tubim, duke pretenduar se zyrtarët e ambasadës u thanë organizatorëve që “ta anulojnë ngjarjen dhe madje kërcënuan se do të inskenonin një aksident trafiku”. Ajo shtoi se ata po ashtu u thanë se do të zbatonin ligjin e Bosnjës për të arrestuar disa anëtarë të Kongresit Botëror të Ujgurëve, përfshirë edhe ish-presidentin Dolkun Isa, shtetas gjerman.
Ambasada kineze në Sarajevë nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment.
Bosnjë e Hercegovina ka marrëveshje për ekstradim me Kinën, pakt që Arkin tha se është shqetësues për disa anëtarë të Kongresit Botëror të Ujgurëve. Por, ajo shtoi se askush nuk është përballur me presion nga autoritetet lokale, që kur kanë shkuar në Sarajevë.
Nuk janë të paprecedenta përpjekjet e zyrtarëve kinezë për të penguar tubimet e Kongresit Botëror të Ujgurëve.
Para mbajtjes të Asamblesë paraprake të Përgjithshme në Pragë më 2021, hoteli Marriott në kryeqytetin çek refuzoi që të ishte mikpritës i konferencës, duke thënë se ka “neutralitet politik”, sipas emaileve që i ka siguruar media amerikane, Axios.
Para mbajtjes së tubimit në Sarajevë, Arkin tha se organizata e zgjodhi kryeqytetin e Bosnjës për shkak të përvojave të vet këtij shteti me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe gjenocidit për shkak të luftërave që pasuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90.
“Bosnja e ka përjetuar gjenocidin. Përderisa nuk mund të them se ngjarjet janë të njëjta, ka paralele në historinë e mizorive, krimeve, përpjekjeve për dokumentim, drejtësisë tranzicionale, drejtësisë ndërkombëtare dhe masave për llogaridhënie”, shtoi ajo.
“Ne mund ta përdorim këtë si model për të kuptuar gjenocidin ujgur”.