Ndërlidhjet

Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut pajtohen për forcimin e marrëdhënieve tripalëshe


Delegacionet nga Koreja e Jugut, Kina dhe Japonia, marrin pjesë në takimin trepalësh të ministrave të Jashtëm në Busan, Korenë e Jugut, të dielën më 26 nëntor 2023.
Delegacionet nga Koreja e Jugut, Kina dhe Japonia, marrin pjesë në takimin trepalësh të ministrave të Jashtëm në Busan, Korenë e Jugut, të dielën më 26 nëntor 2023.

Ministrat e Jashtëm të Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, u pajtuan të dielën për rifillimin e bashkëpunimit fqinjësor dhe për ta hapur rrugën për një takim të tre liderëve të vendeve të tyre, në përpjekje për t’i ulur tensionet në rajonin jetik.

Edhe pse Kina dhe Shtetet e Bashkuara po i rregullojnë marrëdhëniet e tensionuara, përfshirë përmes një takimi mes presidentëve Xi Jinping dhe Joe Biden këtë muaj, Pekini është i shqetësuar se Uashingtoni dhe aleatët e saj rajonalë po e forcojnë partneritetin e tyre trepalësh.

Pekini, Seuli dhe Tokio ishin pajtuar për takime vjetore prej vitit 2008, në përpjekje për t’i rritur shkëmbimet diplomatike dhe ekonomike, por mospajtimet mes palëve dhe pandemia e COVID-19 i ndërpreu ato plane. Takimi i fundit mes tre liderëve ndodhi më 2019.

Tre diplomatët u takuan në portin e Koresë së Jugut, Busan, për herë të parë prej vitit 2019, pasi zyrtarët e tri vendeve u pajtuan në shtator për ta caktuar një takim trepalësh “sa më parë që të jetë e përshtatshme”.

Tre ministrat nuk treguan se kur mund të ndodhë samiti trepalësh mes liderëve.

Presidenti i Kinës Xi, kryeministri japonez Fumio Kishida dhe presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, mund të mos takohen këtë vit, por samiti mes tyre pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt, tha këshilltari për siguri kombëtare i Koresë së Jugut, Cho Tae-yong, për Yonhap TV.

Ministrat u pajtuan për ta rritur bashkëpunimin në gjashtë fusha, përfshirë në ato të sigurisë, ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe për bisedime konkrete për t’u përgatitur për samitin e liderëve, tha Ministria e Jashtme e Japonisë.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se tri vendet duhet të jenë më të gjalla në promovimin e zhvillimit rajonal dhe global me një “qasje dhe mënyrë më progresive”.

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoko Kamikawa, tha se bashkëpunimi ma i madh trepalësh do të ndihmonte paqen rajonale, pasi situata ndërkombëtare e sigurisë është bërë “më e rëndë dhe më e ndërlikuar se kurrë më parë”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Park Jin, e ftoi Wangun për në vizitë në Seul dhe u pajtua me të për përforcimin e komunikimeve strategjike, tha Seuli. Parku i kërkoi Kinës të luajë rol më konstruktiv për ta nxitur Korenë e Veriut t’i shmangë provokimet dhe ta fillojë çarmatimin bërthamor.

Wangu, në anën tjetër, i kërkoi Parkut të mos i politizojë çështjet ekonomike dhe teknologjike, në një kohë tensionesh mes Kinës dhe SHBA-së për gjysmëpërçuesit dhe mosmarrëveshjet e tjera tregtare.

Në korrik, Wang kishte paralajmëruar se përpjekjet e SHBA-së për t’i forcuar marrëdhëniet me Seulin dhe Tokion mund të nxisnin tensione rajonale dhe konfrontime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG