Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), mund të akuzojë oficerët rusë si të dyshuar për krime të kryera gjatë sulmit në Ukrainë.
Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në mbrëmje, zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se ka “udhëhequr përpjekjet për të bashkuar aleatët”, duke përfshirë të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, si dhe Kanadanë, Zelandën e Re dhe Zvicrën, për të raportuar regjimin e Vladimir Putin në gjykatë.
Zëvendëskryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, që është edhe sekretar i Drejtësisë, tha se “si anëtar themelues i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme”.
“Çdo lider apo oficer rus që zbaton urdhra që përbëjnë krime lufte, duhet ta dijë se do të mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve dhe në burg”, shtoi Raab.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se regjimi i Putinit ka shënjestruar edhe civilët dhe shtoi se “Mbretëria e Bashkuar do të punojë ngushtë me aleatët për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.